Gjashtë Bashki hyjnë në zgjedhje të parakohshme lokale

Shkon në 6 numri i Bashkive që do të hyjnë në zgjedhje të parakohshme. Pas Beratit, Tepelenës dhe Matit, ku ish-kryetarët u zgjodhën si deputetë të rinj të Parlamentit më 11 maj dhe presin të betohen nesër në seancën e Kuvendit, do të jenë edhe 3 bashki të tjera që do presin me votën e qytetarëve emrat e kryetarëve të rinj.

Tirana, ku kryeministri Edi Rama shpalli si kandidaturë Ogerta Manastirliun, në vend të Erion Veliajt të arrestuar prej 10 shkurtit të këtij viti, Vlora pas dorëheqjes së papritur të Ermal Dredhës dhe Cërriku, pasi Andis Salla u emërua ministër i Bujqësisë.

Mbetet për t’u caktuar vetëm data e zgjedhjeve lokale të parakohshme, me dekret të presidentit të vendit Bajram Begaj.

Ervin Demo i Beratit, që tashmë do të jetë edhe ministër i Pushtetit Vendor në “Rama 4”, Tërmet Peçi i Tepelenës dhe Agron Malaj i Matit, do të jenë deputetë të rinj në Parlament.