Gazment Bardhi përjashtohet me 15 ditë nga punimet e Kuvendit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga punimet e Kuvendit për një afat prej 15 ditësh.

Vendimi është marrë nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën, pas shqyrtimit të sjelljes së Bardhit në një nga seancat e fundit parlamentare.

Kujtojmë që Partia Socialiste, kishte kërkuar përjashtimin me 30 ditë të Gazment Bardhit.

Pas mbledhjes së Komisionit të Etikës, deputeti i PD, Saimir Korreshi, tha se përjashtimi i Bardhit ishte i qëllimtë që ai të mos marrë pjesë në seancat ku do të raportojnë institucionet e drejtësisë.

“Kjo është haptazi, si e si që një nga figurat më të forta, i cili ka denoncuar me pyetje konkrete organet ligjzbatueshme të mos jetë prezent kur ato të raportojnë. Ironia më e madhe që ndodh, po të shihni këta new entry, deputetët e rinj të kuvendit, kërkojnë të mos mbyllet parlamenti dhe thonë çfarë po na bën opozita. Dy janë gjërat kryesore, heshtja dhe mbyllja e gojës, të vetmen gjë që ka opozita, se numrat këta i kanë”, tha Korreshi.

Përjashtimi i Bardhit erdhi pas seancës së 16 tetorit, ku pati përplasja me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, teksa para deputetëve raportonte Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.