Gjyqtari Erion Çela, pas tërheqjes për vendim në dhomë këshillimi, i janë dashur më pak se një orë për të dhënë verdiktin e masave paraprake, që në fund u konfirmuan, duke mos ndryshuar asnjë prej tyre.
Të tre të pandehurit do të qëndrojnë në të njëjtën masë.
Belinda Balluku, do të qëndrojë në masën e sigurisë së pezullimit nga detyra, bllokimit të pasaportës dhe ndalimit për të dalë jashtë vendit.
Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, kanë mbetur masat në fuqi, arrest shtëpie.
Gjyli refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetares Klodiana Lala nëse i është bindur urdhrave të zv/kryeministres Balluku.
Ata nuk kanë dhënë asnjë reagim pas përfundimit të seancës për konfirmimin e masave paraprake të vendosura nga GJKKO.
Në fund masat nuk kanë ndryshuar dhe pritet që të ketë ankimim nëpërmjet apelimit në GJKKO, meqë mbeti sot në fuqi. Me këtë masë, sipas gazetares Klodiana Lala, Balluku nuk shkon dot në zyrë dhe as ushtron dot detyrën.
Do i duhet të presë masën e apelimit në shkallën e dytë dhe shqyrtimin e kërkesës së Kryeministrisë nga Kushtetuesja për kompetencat mes Qeverisë dhe GJKKO për masën e pezullimit të një ministri.
Ka pasur debate gjatë seancës së masës së sigurisë me diskutime të forta juridike. Balluku ka pasur përveç të motrës Pamela Qirko edhe avokatin Ardian Kalija, që kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë.
Sipas gazetares, pati diskutime të forta juridike dhe ligjore nga avokatja e Ballukut, njëkohësisht motra e saj, që kundërshtonte provat dhe pretendimet e prokurorit Dritan Prençi. Ajo kërkoi shfuqizimin e masave, si të paligjshme.
Para seancës GJKKO i dha afat palëve që të njiheshin me aktet e dosjes pas kërkesës së bërë, ndërsa seanca rinisi më vonë dhe përfundoi në orët e pasdites. Balluku nuk dha asnjë shpjegim në dy hyrjet dhe daljet nga godina e GJKKO-së, duke mos bërë as komente.
Aktualisht pritet zbardhja e vendimit të gjyqtarit Çela, ku do shpjegohet përse janë vendosur këto masa, cilat ishin pretendimet e palëve dhe provat bazë të SPAK-ut për të dhënë masat shtrënguese ndaj zv/kryeministres.
Sipas procedurës konfirmimi i masave duhet të bëhej brenda tre ditësh. Kurse Balluku, sipas gazetares Lala, nuk del dot jashtë vendit pa lejen e SPAK, pasi do i duhet të kalojë në Pikën Kufitare dhe të regjistrohet në hyrje-dalje dhe ka ndalesë nga ana e SPAK-GJKKO.
Përfundimisht GJKKO ka vlerësuar të ligjshme kërkesat dhe masat shtrënguese të kërkuara nga SPAK edhe gjatë seancës së sotme të konfirmimit dhe dëgjimit të palëve.
Këto masa nuk prekin funksionet e Ballukut si deputete, pra si e zgjedhur, por vetëm si zv/kryeministre dhe ministre. Pas kësaj mase Balluku duhet të japë dorëheqjen vetë, ose ta shkarkojë kryeministri Rama, për të zgjedhur një emër tjetër si zv/kryeministre pasi është pozicion kushtetues dhe qeveria nuk mund të lihet pa zëvendës.
Vendimi i GJKKO:
Kërkuesi Prokuroria e Posaçne kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.11.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrja në pyetje dhe verifikimi i kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, caktuar me vendimin Nr. 118, datë 19.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurve Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 120, datë 22.11.2025, vendosi:
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë), të parashikuara nga nenet 233 dhe 242 të K.Pr.Penale, ndaj të pandehurës Belinda Balluku, të caktuara me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Gentian Gjyli, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj të pandehurit Erald Elezi, e caktuar me vendimin nr. 118, dt. 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Saktësimin e adresës së zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” duke urdhëruar të pandehurin Erald Elezi që të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në qytetin e **** me adresë: ****
Urdhërohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brënda 5 ditëve, nga njoftimi i vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 22.11.2025
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar


