Gazetari i kronikës Trashgim Sokolaj, thotë se ish-kreu i Prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, i arrestuar me urdhër të SPAK si i përfshirë në çështjen “Toyota Yaris”, merrte nga 15 deri në 50 mijë euro ryshfet për të manipuluar shortin e masave të sigurimit të personave të arrestuar.
Teksa ishte i ftuar në emisionin “360 gradë”, ai theksoi se në dosje përmenden edhe dy anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që ish-kryeprokurori i Vlorës iu paguante jahte, hotele dhe apartamente.
“Ky prokurori i Vlorës është arrestuar nga SPAK si person që ka marrë shuma monetare për të manipuluar shortin e masave të sigurimit të personave të arrestuar të Toyota Yaris, për sjelljen në Shqipëri të 3.4 milionë eurove në bagazh dhe futjen e tyre në Durrës pa i deklaruar. Shumat që mendohet se ka marrë janë nga 15-50 mijë. Në atë dosje ka prova për dy anëtarë të KLP që ky prokuror i Vlorës iu paguante jahtin, hotele dhe apartamente në Vlorë”, u shpreh gazetari.