Me një breshëri raketash të lëshuara nga territori i Gazës drejt zonave të Izraelit Jugor dhe veçanërisht drejt Ashkelonit, duket se ka ardhur dhe “përgjigjja” e parë e Hamasit për thirrjen e Izraelit.
Izraeli i bëri thirrje banorëve të Gazës për të lëvizur në zonat jugore brenda 24 orëve të ardhshme dhe të mos bëhen mburoja njerëzore për terroristët, shkruan BBC.
Sipas Sky News dhe Al Jazeera, rreth 150 raketa u hodhën në Ashkelon, i cili ndodhet afër kufirit me Gazën.
The Hamas movement reported launching 150 rockets into the Israeli city of Ashkelon pic.twitter.com/XvOWd4PP5Y
— Sprinter (@Sprinter99800) October 13, 2023
Në të njëjtën kohë, 7 raketa ranë edhe në Sderot, duke goditur 5 shtëpi. Askush nuk u lëndua.
Kaos në Gaza
Në të njëjtën kohë, paniku, konfuzioni dhe kaosi mbizotëron në veri të Gazës pas urdhrit të dhënë sot nga ushtria izraelite për largimin urgjent brenda 24 orëve të “të gjithë civilëve” nga qyteti i Gazës.
Sipas Times of Israel, urdhri i evakuimit i dhënë nga IDF në ditën e shtatë të luftës së Izraelit kundër Hamasit ka shkaktuar bujë.
“Është kaos, askush nuk e di se çfarë të bëjë,” tha për Associated Press Inas Hamdan, një zyrtar i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë në Lindjen e Afërt.
UNRWA njoftoi sot se ka zhvendosur qendrën e saj operative dhe stafin ndërkombëtar në Rripin jugor të Gazës për ta lejuar atë të vazhdojë aktivitetet e saj humanitare dhe të mbështesë stafin e saj dhe refugjatët palestinezë.
Nebal Farshah , një përfaqësues i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në qytetin e Gazës, thotë se nuk ka asnjë mënyrë që më shumë se 1 milion njerëz të largohen kaq shpejt.
“Çështja nuk është më ushqimi, rryma, karburanti. Shqetësimi i vetëm tani është nëse do të arrini të mbijetoni. Çfarë do të ndodhë me pacientët tanë? A kemi fëmijë të lënduar në spitalet tona”, thotë ai.
Sipas saj, shumë mjekë refuzojnë të largohen nga qyteti dhe i lënë pacientët në fatin e tyre.
Në Rripin e Gazës, sulmet masive hakmarrëse izraelite kanë vrarë më shumë se 1500 njerëz, duke përfshirë shumë civilë, sipas autoriteteve lokale.
“Injoroni urdhrin” thotë Hamasi
Zyra e shtypit e qeverisë së Hamasit në Gaza, nga ana e saj, u bëri thirrje sot banorëve që të injorojnë paralajmërimin e Izraelit për të zhvendosur të gjithë popullsinë e pjesës veriore të Rripit në zonat jugore.
Salama Marouf, kreu i zyrës së shtypit të Hamasit në Gaza, tha se paralajmërimi i evakuimit ishte një përpjekje e Izraelit “për të transmetuar dhe kaluar propagandë të rreme, që synon të mbjellë konfuzion midis banorëve dhe të dëmtojë kohezionin e brendshëm përpara nesh”.
Ai shtoi: “U bëjmë thirrje qytetarëve tanë që të mos përfshihen në këto përpjekje, të cilat janë pjesë e luftës psikologjike”.