Gashi dhe Zaev shtrëngojnë duart! Firmosën marrëveshjen për futjen e AAA në Qeveri (VIDEO)

U nënshkrua marrëveshja për hyrje të Alternativës në Qeveri.

Lideri i AAA Afrim Gashi bashkë me kryeministrin Zoran Zaev shtrënguan duart për të vazhduar punën me Qeverinë aktuale deri në vitin 2024.

“Me partinë AAA arritëm marrëveshje për të siguruar shumicë stabile parlamentare. Shumicë stabile parlamentare dhe Qeveri stabile do të thotë se koalicion i ri i zgjeruar e merr përgjegjësinë për ardhmëri të sigurt të shtetit dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Në marrëveshjen e nënshkruar AAA ka 9 pika themelore përmes së cilave pretendon avancim të programit të punës së Qeverisë. Ndër të parat janë:

-Qeveria të mobilizojë të gjitha kapacitetet e shtetit me qëllim hapjen e negociatave me BE-në.

-Qeveria t’i dërgojë kërkesë zyrtare Komisionit Evropian në të cilën do të kërkojë ekip ekspertësh të pavarur, të cilët do të kryejnë hetim ndërkombëtar në proceset e dyshuara, siç janë: Monstra, Alfa, Lagjja e Trimave, Almiri i vogël.

Ndonëse më herët kishte nënshkruar iniciativën për prishjen e kësaj Qeverie Gashi tha se asnjëherë këtë Qeveri nuk e ka quajtur kriminale.

“Në fjalorin dhe në diskursin tonë politik të komunikimit me opinionin as unë si kryetar i AAA por edhe eksponentët më të lartë partiak, asnjëherë nuk mund të gjeni ndonjë komunikatë zyrtare ku ne e kemi quajtur me fjalë të rënda një Qeveri. Kemi pasur vërejtjet tona. Unë nuk mendoj që Qeveria ku po futemi ne është perfekt, përndryshe nuk do të kishte nevojë ne të jemi këtu“, pohoi Afrim Gashi – AAA.

Me inkuadrimin e AAA në Qeveri shumica parlamentare do të ketë 64 deputetë.  Të dy liderët vlerësuan se zgjedhje të parakohshme nuk janë të nevojshme dhe se kjo Qeveri do të vazhdojë deri në afatin e paraparë të mandatit, përkatësisht deri më 2024./TV 21/