Garuan të ndarë më 11 maj/ PSD “shkrin akujt” me PS në Shkodër: Do të jemi gjithmonë në mbështetje të mazhorancës. Jemi bashkë!

Pas zgjedhjeve të 11 Majit, këshilli bashkiak i Shkodrës ka gjetur dakordësinë dhe me shumicë votash kanë kaluar rendin e ditës. PSD mbylli bojkotin dhe i dha dritën jeshile bashkëpunimit, mes të cilave më e rëndësishmja ishte dhënia e të drejtës dhe caktimi i përgjegjësisë së menaxhimit, administrimit dhe mirëmbajtjes së plazheve publike të menaxhueshme për shoqërinë aksionere në pronësi të Bashkisë Shkodër.

Anëtarja e PSD Rezarta Pode tha se PSD do të jetë në mbështetje te PS.

“PSD ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të PS. Edhe pse në 11 maj garuam të vetëm, vazhdimësia do të jetë e përbashkët. Çdo projekt vendim i mirë për Shkodrën do të jetë në mbështetje në PS.
Në zgjedhjet vendore të 2027 do të jemi në mbështetje të PS”, tha ajo.

Më pas këshilltarët kaluan një shtesë në buxhetin e vitit 2025, planin për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në fondin pyjor/kullosor në Bashkinë Shkodër për vitin 2025, Planin e përbashkët të menaxhimit të rrezikut nga zjarri, miratimin e tavaneve përgatitore të shpenzimeve të Programit Buxhetor Afatmesëm 2026-2028 për Bashkinë Shkodër, miratimin e memorandumit të bashkëpunimit mbështetje për zhvillim 2023-2024 projekti “Bashki të forta”- Bashkia Shkodër etj.


Shtuar 30.05.2025 13:51

Tags: , ,