Gara për drejtuesin e ri të BKH mes 7 kandidatëve të kualifikuar: Ja data e testimit fizik dhe ku do të kryhet

Komisioni i Posaçëm në SPAK, ka vendosur që faza e tretë, ajo e testimit fizik të kandidatëve për postin e e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të zhvillohet më 11 korrik.

Bëhet me dije se në këtë fazë do të marrin pjesë 7 garuesit, të cilët aspirojnë që të emërohen në krye të BKH-së.

Testimi do të kryhet në ambientet stërvitore të repartit RENEA, ndërsa procesi do të monitorhet nga një prej prokurorëve të SPAK dhe përfaqësues të Universitetit të Sporteve.

Ndër ushtrimet që do të kryejnë kandidatët janë: vrapimi, pompat, ushtrime të ndryshme fizike, etj.

Kujtomë se gjashtë nga 13 kandidatët në garë për postin e kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë skualifikuar nga gara, për shkak të mangësive me dokumentacionin.

Edhe pse pak ditë më parë, atyre u është lënë afat ekstra, sërish janë konstatuar mangësi.

Pas kalimit në disa faza testimi dhe vlerësimi, komisioni i ngritur pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pritet që së shpejti t’i dërgojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e kandidatit të përzgjedhur, për postin e kreut të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, emri i përzgjedhur do t’i propozohet zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërim.

Të kualifikuarit për vijimin e garës:

1. Andi Pogaçe

2. Artur Beu

3. Elton Kërluku

4. Gentian Ndoi

5. Gentjan Shehaj

6. Gledis Nano

7. Joni Keta


Shtuar 4.07.2025 12:12