Të gjithë sytë ishin te këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa teksa ajo mbërriti në tapetin e kuq të Met Gala 2023.
Si një nga bashkë-prezantueset e eventit të mbrëmjes së 1 majit, që nderon ekspozitën e re të Muzeut Metropolitan të Artit, “Karl Lagerfeld: Një linjë bukurie”, Lipa duhej të jepte një pamje magjepsëse dhe si gjithmonë ylli shqiptar nuk zhgënjeu.
Por zgjedhja e aksesorëve të saj, veçanërisht, ai gjerdan me diamant që bie në sy – ka një histori interesante.
Siç ka raportuar revista e modës, Vogue, diamanti i bardhë Legendary është mbi 100 karat dhe i bën homazh formës së diamantit ikonik të verdhë Tiffany nëpërmjet prerjes së tij pothuajse identike me jastëk. Sipas etiketës, diamanti i ri i bardhë është me ngjyrë D, përmban 82 aspekte dhe është marrë me përgjegjësi nga Botsvana.
Diamanti origjinal Tiffany i verdhë 128,54 karatësh ishte gjetur në vitin 1977 në minierat e diamantit Kimberley të Afrikës së Jugut, dhe që atëherë është bërë një nga pjesët më të famshme të Tiffany (në vitin 2019, vlera e tij u vlerësua në 30 milionë dollarë).
Vetëm katër gra kanë veshur diamantin origjinal Tiffany. Socialite Mary Whitehouse ishte e para që e veshi atë në një ballo për kompaninë e bizhuterive në vitin 1957.