Policia e Tiranës, ka vënë në pranga të shumëkërkuarin Marjan Hema, i akuzuar se furnizonte me armë grupet kriminale në Lushnje.
Marjan Hema, me precedentë të shumtë penalë dhe i arrestuar të paktën 5 herë për vjedhje. Nga muaji maj deri në gusht të këtij viti, 48-vjeçari Hema rezulton se ka vjedhur 3 motomjete në Durrës, Kuçovë dhe Lushnje.
Marjan Hema, prej vitesh e zhvillonte aktivitetin e tij në disa qytete të vendit dhe për të humbur gjurmët ka ndryshuar disa herë vendbanimin, duke u shpërngulur nga Lushnja në Elbasan. 48-vjeçari Hema, vidhte automjete, motorë dhe targa që dyshohet se ia shiste ish-anëtarëve të mbetur të Bandës së Lushnjës, për t’i përdorur në veprimtari kriminale.
Në shkurt të vitit 2022, Marjan Hema u arrestua në Savër të Lushnjes, pasi ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa lejë.
Asokohe policia i gjeti dhe i sekuestroi një armë zjarri automatik, 12 krehëra pistolete dhe automatiku, 179 fishekë pistolete dhe automatiku, 2 silenciatorë dhe 1 tytë të montuar, 3 shula automatiku, 1 kallëp tritoli, 1 fitil zjarrpërcjellës, 1 granatë difensive, 2 radio dore marrëse-dhënëse, të cilat dyshohet se ia shiste personave me lidhje me ish-anëtarë të Bandës së Lushnjës.
Ndaj Hemës janë ngritur disa akuza për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje.