Nga Tom O’Connor “Newsweek”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Deklaratat zyrtare të Pekinit, i bëjnë shpeshherë jehonë një fraze të presidentit Xi Jinping mbi “ndryshimet e mëdha të papara në një shekull”. Ajo duket gjithnjë e më pak si një propagandë dhe më shumë si një konstatim i një transformimi të madh që po ndodh në rendin botëror.
Ky ndryshim po merr tani formën e tij më të qartë në Lindjen e Mesme, një rajon ku SHBA-ja ka angazhuar shumë burime që në fillimin e shekullit XXI-të. Në mars të këtij viti, Kina ndihmoi në nënshkrimin e marrëveshjeje paqeje midis Iranit dhe Arabisë Saudite, duke marrë rolin e ndërmjetëses në rajon, të cilin e mbante prej kohësh SHBA-ja.
Aktualisht Uashingtoni nuk ka lidhje diplomatike me Teheranin, ndërsa marrëdhëniet me Riadin janë tensionuar. “Ne gllabërojmë, kërcënojmë, sanksionojmë, dërgojmë marinsat, bombardojmë. Por nuk e përdorim kurrë artin e bindjes”- thotë Chas Freeman, një diplomat veteran i SHBA-së.
Freeman ishte përkthyesi kryesor i presidentit amerikan Richard Nixon në vizitën e tij historike në Kinë në vitin 1972. Ajo vizitë solli njohjen e Republikës Popullore nga SHBA mbi Tajvanin dhe hapjen e një ambasade në Pekin, ku Freeman shërbeu si zëvendës shef i misionit.
Tani ai thotë për Newsweek se “momenti i lavdisë diplomatike” të Uashingtonit ka mbaruar prej kohësh. “Aftësia e SHBA-së për t’u imponuar është në rënie. Ne amerikanët po i qasemi botës sikur të kemi ende një autoritet të padiskutueshëm, diçka që e kishim në fund të Luftës së Ftohtë, por sot jo më”- thekson ai.
Shumë vende të botës po ndjekin rrugët e tyre të veçanta, të quajtura ndonjëherë si “autonomi strategjike”. Ky koncept është në qendër të politikës së jashtme e të paangazhuar në aleanca të Indisë, edhe pse ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet me SHBA-në.
Por kjo qasje po josh edhe miqtë dikur të ngushtë të SHBA-së si Arabia Saudite, dhe është shfaqur hapur në komentet e presidentit francez Emmanuel Macron, pas vizitës zyrtare që ai pati në prill në Pekin. Freeman, që dikur ka qenë ambasador i SHBA-së në Arabinë Saudite, thotë:”Bota po ndryshon; kaleidoskopi është në lëvizje. Qëllimi kryesor i politikës sonë të jashtme është ruajtja e lidershipit global por kjo është e pamundur. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Asnjë fuqi e madhe nuk është gjithmonë përgjithmonë supreme. Dhe nuk ka mbaruar vetëm Pax Americana, Shekulli Amerikan, i cili doli të ishte rreth 50 vite, por kanë mbaruar 500 vitet e epërsisë globale euro-atlantike”. Kina ka kohë që po pozicionohet për të përfituar nga ky ndryshim.
“Që nga reforma dhe hapja ndaj botës në fundin e viteve 1970, Kina ka zhvilluar dhe thelluar marrëdhëniet me vendet e tjera, mbi bazën e përfitimit reciprok dhe respektit për njëri-tjetrin”- thotë Hongda Fan, eksperte mbi Kinën në Institutin e Studimeve Lindore të Universitetit Ndërkombëtar të Shangait.
Sipas saj, Kina nuk ka provokuar në mënyrë aktive konflikte me vendet e tjera, dhe për këtë arsye ka jo vetëm më pak armiq në botë, por i jep mundësi Pekinit të zgjerojë tregtinë. Ndonëse Kina ka disa mosmarrëveshje territoriale me fqinjët kryesorë, Republika Popullore është sot partnerja kryesore tregtare e afro 130 vendeve.
Ajo ka promovuar ndikimin e saj ekonomik dhe diplomatik në të gjithë Jugun Global, duke përfshirë Afrikën dhe Amerikën Latine, përmes sipërmarrjeve të tilla si Nisma e Brezit dhe Rrugës së Xi Jingping, një rrjet projektesh infrastrukturore që përfshin gati 150 vende.
Lidhja me Lindjen e Mesme është dëshmuar të jetë veçanërisht e vlefshme për Kinën, që është importuesja kryesore e naftës në botë. Irani dhe Arabia Saudite duan jenë pjesë e BRICS Plus dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Anëtarësimi i tyre në këto organizma, mund t’i japë Pekinit aftësinë për t’i bërë ballë një fushate të mundshme sanksionesh nga SHBA-ja, si ato që ka vendosur kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.
Nafta ishte në zemër të partneritetit strategjik të pas Luftës së Dytë Botërore, të krijuar nga SHBA-ja me Arabinë Saudite. Ky pakt i mbijetoi luftërave arabo-izraelite, bojkotit të OPEC-ut të viteve 1970 dhe sulmeve të 11 Shtatorit, në të cilin 11 nga 15 rrëmbyesit e Al-Kaedës ishin shtetas sauditë.
Po ashtu, SHBA-ja ishte e gatshme të anashkalonte shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut nga Arabia Saudite. Por cilësimi nga Joe Biden i princit të kurorës Mohammed bin Salman si një “njeri i përbuzshëm”, së bashku me ndihmën e reduktuar të SHBA-së për fushatën ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, dhe përpjekjet për të ringjallur një marrëveshje bërthamore me Iranin, kanë shkaktuar një përçarje të madhe me Riadin.
Ndërkohë, pak vende të Lindjes së Mesme dhe myslimane i janë bashkuar me SHBA-në për të dënuar trajtimin që i bën Kina pakicës së saj myslimane ujgure. Dhe ndërsa SHBA ka synuar t’i japë fund “luftërave të përhershme”, për t’u fokusuar në sfidën e paraqitur nga
Kina, një Lindje e Mesme që mbetet e ndarë dhe në kaos, vazhdon të kërkojë ndihmë.
“Shtetet e Bashkuara kanë shpërfillur nevojat urgjente të vendeve të Lindjes së Mesme për zhvillim ose nuk i kanë kushtuar atyre vëmendje të mjaftueshme. “Uashingtoni duhet ta kuptojë se sfida të tilla vijnë jo vetëm nga Kina, por edhe nga shumë vende të tjera”- thotë Fan.
Gjithnjë e më shumë vende, përfshirë Kinën, shpresojnë të kenë në duar fatin e tyre dhe të shohin një botë shumëpolare. Në rastin e Arabisë Saudite, kjo nënkupton një përkthim të ndikimit të energjisë në kapital gjeopolitik. Ky ndryshim është pritur me shqetësim nga Uashingtoni.
Biden paralajmëroi për “pasoja”, kur Riadi kundërshtoi thirrjet e SHBA për të rritur prodhimin e naftës, duke iu bashkuar shteteve të OPEC Plus, përfshirë Iranin dhe Rusinë, për uljen e prodhimit tetorin e vitit të kaluar.
Mohammad Al-Sabban, ish-këshilltar i lartë i ministrit saudit të energjisë, thotë për Newsweek:Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mendojnë se janë i vetmi pol në botë, por kjo nuk është më e vërtetë. Bota është bërë multipolare. Është Kina, Rusia, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, por edhe Mbretëria e Arabisë Saudite”.
Dhe nuk është vetëm nafta, ajo që e ushqen pushtetin saudit. Arabia Saudite ka një status unik në të gjithë botën myslimane si kujdestare e dy vendeve më të shenjta të Islamit. Disa diplomatë shqetësohen se ngjarjet e fundit në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, 30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, tregojnë se me gjithë fuqinë e saj ushtarake, financiare dhe kulturore, SHBA-ja e ka humbur joshjen e saj në pjesën më të madhe të botës.
Jack Matlock, ambasadori i fundit i SHBA-së në BRSS, thotë:”Shembulli që po i ofrojmë botës sot nuk është aq tërheqës sa mund të ishte në 1991”. Matlock, që e filloi mandatin e tij në Shërbimin e Jashtëm në 1956, thotë për Newsweek se suksesi i Kinës që po afirmohet në mbarë botën “duhet të frymëzojë një rivlerësim të thellë që të çojë në një ndryshim kursi në Uashington”.
Ndërsa Uashingtoni e ka portretizuar botën si një luftë midis demokracive dhe autoritarëve Matlock thotë se “nuk duhet të kenë rëndësi ideologjia dhe forma e qeverisjes”. “Për të pasur një botë paqësore, të begatë dhe të aftë të përballojë sfida të paprecedenta si degradimi i mjedisit, terrorizmi dhe dhuna e të gjitha llojeve, flukset masive të popullsisë, kërcënimin e pandemive, shmangien e luftës bërthamore apo përdorimin e armëve të tjera të shkatërrimit në masë, ne duhet t’i trajtojmë me respekt të gjitha vendet”- nënvizon ai.