Arrest në burg ka vendosur gjykata e Tiranës për 56-vjeçarin Shefqet Lika arrestuar për nxitje të vetëvrasjes në dëm të bashkëshortes së tij Shahe Lika.
Kjo e fundit gjeti vdekjen katër ditë më parë pasi u var në një serë pranë banesës së saj në Kamëz, por bashkëshorti e raportoi si vdekje natyrale. Ishin familjarët e viktimës që njoftuan policinë me pretendimin se bashkëshorti i saj nuk ka treguar të vërteten.
Gjatë dëshmisë në polici, 56-vjeçari tha se bashkëshortja ishte vetëvarur, por nuk tregoi sepse fëmijët dhe vëllezërit e saj nuk do e besonin dhe do e akuzonin për vrasje.
Kanë qenë këta të fundit që konstatuan shenja rreth qafës së viktimës dhe më pas lajmëruan policinë. Nga hetimet ka rezultuar se, 56-vjeçari ka prishur vendin e ngjarjes dhe nuk ka njoftuar policinë.
Ai do të përballet me akuzat e shkaktimit të vetë vrasjes dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Familjarët i thanë policisë se mes çiftit ka pasur konflikte të vazhdueshme, ndërsa Shefqet Lika ushtronte herë pas herë dhunë psikologjike ndaj të ndjerës duke detyruar nënën e tre fëmijëve ti japë fund jetës.