Fshati që po shuhet në Gjirokastër/ Nuk ka fëmijë, më i riu është 65-vjeç, mbyllet shkolla

Vetëm 7 kilometra larg Gjirokastrës ndodhet fshati Andon Poçi, aty ku jeta duket sikur është ndalur në kohë.

Shkolla 9-vjeçare e fshatit, që dikur mblidhte rreth 120 nxënës, sot është e mbyllur me dry. Në fshat nuk ka më asnjë fëmijë, ndërsa edhe të rinjtë janë larguar prej vitesh.

Më i riu në fshat është 65-vjeç, ndërsa pjesa tjetër janë të moshuar mbi 70-vjeç, që jetojnë vetëm dhe punojnë tokat për të mbajtur veten.

Njëri prej atyre që e kujton me mall kohën kur fshati kishte jetë, është Nasho Shituni, ish-mësuesi i shkollës.

Ai ka dhënë mësim aty për 20 vite dhe sot, në moshën 85-vjeçare, e sheh me dhimbje gjendjen në të cilën ka mbetur godina.

“Shkolla ka qenë e rregullt, me nxënës të mirë dhe prindër të përkushtuar. Më vjen keq ta shoh kështu sot”, thotë ndër të tjera ai.


Shtuar 7.12.2025 15:48