Frika se mund të sulmohej e bëri që të qëllonte? Çfarë i ka ndodhur autorit të atentatit në Vlorë në janar të këtij viti

Policia ka arritur të identifikojë autorin e atentatit të dështuar ndaj dy efektivëve në Vlorë mbrëmjen e djeshme.

Diego Haxhiraj i cili po ashtu përdorte edhe dy emra të tjerë Teki Haxhiraj dhe Diego Hanaj është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa makina e tij u gjet e braktisur në lagjen “Partizani” në Vlorë, dyshohet nga frika.

Pistat që po hetohen janë disa, por një prej tyre e cila ka dalë së fundmi është ajo e frikës së mos sulmohej nga automjeti që e parakaloi, pasi ishte xhama të zinj dhe pa targa.

Dhe për këtë duket se autori e ka pasur një shkak. Mësohet së në datën 05.01.2022, ai është goditur me armë zjarri në lagjen “Pavarësia”, ku ka mbetur i plagosur rëndë.

Po ashtu mësohet se autori është  një emër i njohur për policinë  me precendentë në fushën e lëndëve narkotike.

Atentati në 5 janar 2022:

Atentati i ndodhur në Vlorë në lagjen ‘Pavarësia’, më 5 janar, ku mbeti i plagosur 36-vjeçari Diego Haxhiraj, ende nuk ka një autor, ndërsa i plagosuri nuk ka ndihmuar hetuesit në zbardhjen e ngjarjes. Në dëshminë e Diego Hanajt për efektivët e policisë, 36-vjeçari është shprehur se ‘Nuk njoha njeri, dhe nuk kam konflikt me askënd’. Në kohën kur iu bë atentat kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Holanda.

Makina e autorëve u gjet e djegur në fshatin Trevllazën. Mjeti ishte djegur në një rrugicë qorre, që ka ndihmuar autorët të largohen më lehtë dhe pa rënë në sy, ndërsa brenda tij janë gjetur dhe dy krehëra kallashnikovi. Në drejtim të 36-vjeçarit Diego Hanaj është qëlluar 5 herë me breshëri kallashnikovi, por atë e ka prekur vetëm një plumb në dorë. 36-vjeçari ka qenë duke ecur në rrugë poshtë pallatit të tij, por ka parë persona që po e prisnin dhe është larguar me vrap. Autorët pasi kanë shtënë në drejtim të tij janë larguar me një makinë tip ‘Audi Q7’. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje, ndërsa policia vijon hetimet rreth aktivitetit të plagosurit. /albeu.com