Franca rrezikon sërish të zhytet në anarki, ku ka dështuar Emmanuel Macron

Nga Gavin Mortimer “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Franca e përball të enjten me natën e saj më të tmerrshme të trazirave më të fundit, ndërsa dhuna është përhapur sërish në mbarë vendin. Për të tretën mbrëmje radhazi, të rinjtë u rebeluan në shumicën e qyteteve kryesore, pavarësisht angazhimit të mbi 40.000 policëve për të ruajtur rendin.

U plaçkitën dyqanet, u sulmuan godinat e bashkisë, u hodhën shishe me benzinë mbi komisariatet e policisë, u thyen xhamat e dyqaneve dhe iu vu zjarri dhjetëra makinave, duke krijuar skena të jashtëzakonshme të një përleshje urbane.

Policia është përplasur me turmat dhe ka arrestuar deri tani mbi 421 njerëz, gjysma e të cilave në kryeqytetin Paris. Epiqendra e kaosit ishte zona e Nanterrës, në perëndim të Parisit, ku mëngjesin e së martës u qëllua për vdekje nga policia 17-vjeçari Nahel, teksa po i largohej me shpejtësi me makinë një post-blloku të policisë.

Oficeri që e qëlloi me armë zjarri, akuzohet për vrasje me dashje dhe është lënë në paraburgim. Prokuroria pretendon se në këtë rast nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për përdorimin e armës, u shpreh prokurori publik i Nanterrës në një konferencë për shtyp.

Po as ky njoftim nuk e qetësoi mijëra njerëz që morën pjesë në marshimin në kujtim të Nahel pasditen e së enjtes. Disa bënë thirrje për “drejtësi”, dhe të tjerë shkruan nëpër mure fjalën “hakmarrje”. Para se të përfundonte marshimi, shumë makina ishin në flakë dhe forcat e policisë po qëlloheshin me gurë.

Aktualisht disa pjesë të Francës janë një vend i rrezikshëm për policinë dhe gjithashtu për gazetarët. Gazetarët nga televizioni, shtetëror France 2, u kërcënuan gjatë marshimit të së enjtes pasdite. Ndërkohë dhe në mbrëmje, dy reporterë të gazetës Le Figaro u sulmuan në 2 incidente të veçanta.

Njëri në Nanterre kërkoi trajtim në spital, pasi u rrah dhe grabit. Sipas Le Figaro, një oficer policie e ka përshkruar situatën në Francë si një “klimë kryengritjeje”. Të tillë e shohin edhe shumë politikanë në të djathtë. Ndërsa të enjten pati kërkesa nga Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, republikanët e qendrës së djathtë dhe Ripushtimi i Eric Zemmour për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.

Kryebashkiakët e disa periferive të Parisit, vendosën me nismën e tyre gjendjen e shtetrrethimit të enjten në mbrëmje, e cila do të qëndrojë në fuqi deri të hënën e javës së ardhshme. Dhuna nuk mund të kishte shpërthyer në një moment më të keq se kaq për autoritetet franceze.

Në kulmin e verës, në mes të vapës, dhe në fillim të pushimeve shkollore. Në të gjithë Francën janë mijëra të rinjtë që kanë boll kohë për të shpenzuar, dhe me shumë zemërim në zemrat e tyre. Ditët e ardhshme mund të ketë një përshkallëzim të “kryengritjes”.

Franca ka dëshpërimisht nevojë për një udhëheqje të fortë, por kjo nuk po sigurohet as nga presidenti Macron dhe as nga kryeministrja e tij, Elisabeth Borne. Që të dy e kanë zemëruar policinë me deklaratat e tyre, që duket se paragjykojnë veprimet e oficerit që qëlloi për vdekje të riun.

Së fundmi në rrjet po qarkullon një foto që tregon Macron dhe gruan e tij, Brigitte, duke u kënaqur në një koncert të Elton John në Paris të mërkurën në mbrëmje, ndërsa kryeqyteti ishte në flakë. Po çfarë i tha mendja Macron? As ai dhe as këshilltarët e tij nuk arritën ta merrni parasysh se sa do të kontraktonte ky gjest në një natë të tillë?

Me sa duket jo, dhe fotoja është bërë virale në rrjetet sociale, duke ngjallur akoma më shumë zemërim në të majtë dhe të djathtë. Dikush mund të thotë se Macron rrezikon të humbasë kontrollin e vendit të tij. Por e vërteta e hidhur, është se ai nuk e ka pasur kurrë këtë kontroll.

Që kur u zgjodh president në majin e vitit 2017, Franca ka kaluar nga një krizë në tjetrën: kryengritja e Jelekëverdhëve në vitin 2018, vala e parë e protestave kundër reformës së sistemit të pensioneve në vitin 2019, qasja e ashpër për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga Covid-19, dhe më pas zemërimi që shpërtheu në rrugë këtë pranverë, pasi qeveria e tij e kaloi në mënyrë të njëanshme ligjin jo-popullor të pensioneve.

Problemi i Macron është se ai është fund e krye një teknokrat. Ai është i aftë me detajet, por jo me njerëzit. Është shumë inteligjent, por i mungon eupatia. Është një politikan i artikuluar, por i paaftë të angazhohet me masat. Është e kundërta e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Vetëm një muaj i ndan dy liderët në moshë, por hendeku midis tyre është shumë i madh. Në dallim nga Macron, i cili u integrua që në moshë të re në institucionet më elitare të vendit të tij, Zelenskyy jetoi për vite në botën reale duke e fituar bukën e gojës si një komedian dhe aktor përpara se të hynte në politikë në vitin 2018.

Kur rusët pushtuan Ukrainën në shkurtin e vitit 2022, Zelenskyy u shfaq shumë shpejt si një udhëheqës lider karizmatik dhe frymëzues. Studiuesi amerikan Michael Useem, profesor i menaxhimit në Universitetin e Pensilvanisë, shpjegoi në një intervistë se tek Zelensky ka një “prani të lidershipit”.

“Ai nuk është aty vetëm për t’u shfaqur, dhe as vetëm për të treguar flamurin. Ai është atje për të mbrojtur një kauzë … Pra kjo është një kohë për të ecur përpara dhe për të mos iu shmangur detyrës, dhe Zelenskyy e ka treguar këtë”- thotë Useem. Ndërkohë Emmanuel Macron nuk e ka këtë dhunti. Ai nuk i frymëzon njerëzit e tij. Përkundrazi, ai i zemëron ata, dhe ky inat po dominon tani kudo në Francë. /albeu.com


Shtuar 1.07.2023 10:42