Franca përgatitet për një ditë greve, 250 qytete pritet të përfshihen në protesta

Franca pritet të paralizohet nesër, të enjten, nga një valë e re grevash dhe protestash, ndërsa sindikatat më të mëdha të vendit kanë njoftuar mobilizime në sektorë kyç si transporti, arsimi, sektori publik dhe industria. Tubime proteste pritet të zhvillohen në afërsisht 250 qytete franceze, me kërkesën kryesore tërheqjen e masave të kursimit ekonomik të përfshira në projektbuxhetin e vitit 2026 nga qeveria e dorëhequr e François Bayroux.

Masat e kursimit nuk janë kundërshtuar deri më tani nga Kryeministri i sapoemëruar Sébastien Lecorni, i cili u emërua në këtë post nga Presidenti Emmanuel Macron. Mospërcaktimi i pozicionit të tij ka rritur pakënaqësinë dhe tensionet në opinionin publik dhe sindikatat.

Ministri i Brendshëm në largim, Bruno Retagio, paralajmëroi për një pjesëmarrje të konsiderueshme në grevë dhe bëri të ditur se 80,000 forca policie do të jenë në gatishmëri për të garantuar rendin dhe për të parandaluar incidente të mundshme.

Ndërkohë, Lecorni vazhdoi sot takimet intensive me drejtuesit e partive politike, në përpjekje për të formuar një qeveri të re që, në mungesë të mbështetjes, të paktën të tolerohet nga shumica parlamentare, duke shmangur kështu një tjetër rrëzim të kabinetit, siç ndodhi me dy qeveritë e mëparshme.

Kryeministri zhvilloi një takim të rëndësishëm me drejtuesit e Partisë Socialiste, nga ku nuk munguan tensionet. Sekretari i përgjithshëm i saj, Olivier Faure, pas takimit la të kuptohej se nuk ishte i kënaqur me atë që dëgjoi, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e votave socialiste në Asamblenë Kombëtare vota që konsiderohen vendimtare për formimin e një shumice të qëndrueshme.

Situata politike në Francë mbetet e tensionuar, me një krizë institucionale në horizont dhe një valë protestash që pritet të testojë seriozisht qeverinë e re.


Shtuar 17.09.2025 14:47

Tags: ,