Baza ajrore e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO-s) në Kuçovë do të hapet në fillim të muajit mars. Lajmin e bëri me dije sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken gjatë deklaratës që pati dje për mediat në Tiranë.
Në total investimi kap një vlerë prej rreth 50 milionë euro. Kontributi i palës shqiptare shkon në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme për avionët e NATO-s.
Punimet për bazën ajrore të vetme që do ketë NATO në Ballkan kanë nisur rreth 2 vite më parë.
Ndërsa, Shqipëria është vetëofruar për të pasur edhe një bazë detare të NATO-s në Durrës, çështje për të cilën, Blinken tha se po bëhen diskutimet me NATO-n.