FOTOLAJM/ Çifti presidencial mbërrin në Kështjellën Windsor, Trump dhe Melania dorë për dore, priten me nderime nga familja mbretërorë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melania Trump, mbërritën sot në Kështjellën Windsor në kuadër të një vizite zyrtare dyditore në Mbretërinë e Bashkuar.

Helikopteri presidencial Marine One u ul rreth orës 13:00, ndërsa pritja e tyre ishte madhështore dhe e mbushur me simbolikë mbretërore.

Çifti Trump u prit fillimisht në Kopshtin e Muruar të Kështjellës Windsor nga Princi dhe Princesha e Uellsit, William dhe Kate, të cilët i shoqëruan në Victoria House për takimin zyrtar me Mbretin Charles III dhe Mbretëreshën Camilla.
Pavarësisht se më herët ishte raportuar se Camilla nuk ndihej mirë, burime zyrtare mbretërore konfirmuan pjesëmarrjen e saj në të gjitha ngjarjet e vizitës.

Ceremonia u shoqërua nga Banda e Kalorësisë së Familjes Mbretërore, ndërsa në sfond u interpretuan himnet kombëtare të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.


Pas takimit, Mbreti Charles dhe Presidenti Trump ndërmorën një tur simbolik me karrocë në oborret e Kështjellës Windsor, në një atmosferë formale dhe festive.


Shtuar 17.09.2025 15:08