Prokuroria e Shkodrës, ka përfunduar hetimet për sekretaren e këtij institucioni Kristina Guri, e cila në Tetor 2022 nxori jashtë zyrës së institucionit një dokument sekret që fliste për të kërkuarin Ibrahim Lici në Turqi.
Sekretarja tashmë është marrë e pandehur dhe akuzohet për akuzën e “Zbulimit të akteve, ose të dhënave sekrete”.
Aktualisht, çështja kundër saj është në pritje të nisjes së procesit të gjykimit në Shkodër.
Shkresa ishte sigluar “Tepër urgjent” dhe i përkiste Zyrës së Marrëdhieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, të firmosur nga prokurori Olsi Dado.
Sapo ka mbëritur nga Tirana në Prokurorinë e Shkodrës, dokumenti është fotografuar nga sekretarja e regjistrit, shtetësja Kristina Guri.
Më pas, këtë dokument Kristina Guri ia ka treguar të dashurit të saj, emrin e të cilit nuk e ka treguar gjatë fazës së hetimit.
Më tej, i dashuri e ka fotografuar dokumentin mbi telefonin e sekretares dhe shkresën informative për Ibrahim Licin në Turqi, dhe e ka shpërndarë tek persona të tjerë.
Dokumenti më tej rrodhi në media, duke shkaktuar një skandal në nxjerrjen e sekretit, ç’ka solli nisjen e hetimeve nga Prokuroria e Shkodrës.
Nga hetimet rezultoi se dokumenti ishte nxjerrë jashtë mureve të Prokurorisë nga sekretarja e regjistrit.
Shkresa e fotografuar nga sekretarja, dyshohet se ka rënë në dorë të Behar Bajrit dhe njerëzve të tij, të cilët më pas e lançuan në media.
Bajri është kundërshtari i betuar i Ibrahim Licit, i cili prej muajit Maj të vitit 2021, është shpallur në kërkim nga prokuroria e Shkodrës, si i dyshuar në vrasjen e komshiut të tij, Endri Mustafa.
Ndërsa, aktualisht pas operacionit “Metamorfoza” në kërkim është shpallur dhe Behar Bajri, i cili akuzohet nga SPAK-u për vrasjen e Gjin Boriçit, dhe sigurimin e kushteve për të vrarë Genc Tafilin, Ibrahim Licin dhe Dorian Dulin./oranews