FOTO/ Skandali, Karçanaj me 16 mln euro nga AKSHI “qeras” Ilir Beqajn në burg dhe Ermal Beqirin e “SOFT & SOLUTION”

Ermal Beqiri vijon të jetë “klienti” i preferuar i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

I përfolur prej kohësh në media për shkak të tenderave të shumtë të përfituar nga AKSHI, ai ka dalë sërish në skenë.

Këtë radhë bëhet fjalë për një prokurim publik të bërë nga ky institucion në vlerën e 16 milionë eurove me TVSH.

Me kompaninë e tij “Soft and Solution”, Ermal Beqiri është shpallur fitues bashkë me “FASTECH”-un e Andis Papa, por që në underground mediet kanë bërë me dije se zotërohet nga Iliri Beqaj.

Ky i fundit është i ndaluar dhe nën hetim nga SPAK për shpërdorimin e fondeve të marra nga BE-ja gjatë periudhës që ishte në krye të SASPAC.

Ata kanë garuar së bashku si një grup i bashkuar operatorësh me “IMAGE & COMMUNICATIONS DEVELOPMENT SHPK” dhe “HELIUS SYSTEMS”.

Ndërkaq autoriteti i dytë konkurrues në këtë prokurorim publik ka qenë “INFOSOFT”, por për çudi kjo kompani nuk ka plotësuar asnjë dokument për t’u bërë pjesë e garës.

Arsyet nuk janë bërë të ditura, megjithatë është bërë fakt se AKSHI ka shpallur fitues në kompaninë FASTECH si bashkim operatorësh me subjektet e sipërpërmendura.

Kontrata e lidhur me Mirlinda Karçanaj konsiston në implementimin e e-Albania 2.0, një faqe sekondare dhe të dhëna të hapura (open data), ku kap vlerën e 1.377.777.779 lekë të reja pa TVSH ose afërsisht mbi 16 milionë euro përfshirë TVSH. Fondi limit i përcaktuar ishte 1.462.500.000 lekë të reja pa TVSH ose 17 milionë euro me TVSH.

Edhe pse Ilir Beqaj ndodhet në burg për të dhënë shpjegime para drejtësisë për “Shpërdorimin e Detyrës”, nga ana tjetër paratë “rrjedhin lumë” për kompaninë e tij dhe jo vetëm.

Vetëm para pak ditësh, një tjetër tender në vlerën e 3 milionë eurove u fitua sërish nga kompania “FASTECH”.

I dyshimtë mbetet fakti se pse “INFOSOFT” nuk ka plotësuar dokumentacionin e nevojshëm, megjithëse është përfshirë si garuese në tender. Por, më pas është skualifikuar prej arsyeve më lart.

Me sa duket për AKSHIN, Ilir Beqaj dhe Ermal Beqiri janë dy garuesit më të fortë dhe më të spikatur për të përfituar tendera. Teksa i pari ndodhet në burg për shpërdorim detyre, Ermal Beqiri është një emër mjaft i njohur.

Me kompaninë e tij “SOFT & SOLUTION”, ai ka përfituar miliona euro tendera nga institucionet shtetërore, veçanërisht te Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Emri i Beqirit u bë i njohur për herë të parë për publikun si një nga ekspertët e pajtuar për të vërtetuar autenticitetin e video përgjimit të Ilir Metës me të ndjerin Dritan Prifti. /NEWSBOMB.al