Foshnja e braktisur ndërroi jetë, reagon materniteti “Koço Gliozheni”, publikon shkakun e vdekjes

Materniteti “Koço Gliozheni” ka reaguar pasi foshnja e cila u gjet dje e braktisur në bodrum ndërroi jetë.

Më 8 nëntor, një banor dëgjoi të qarat e foshnjës në bodrum dhe lajmëroi menjëherë policinë e ambulancën.

Nëna 30-vjeçare, tashmë e arrestuar, pasi e kishte lindur foshnjën në bodrum, e kishte braktisur.

Materniteti në reagimin e tij, thotë se foshnja mbërriti pa shenja jete dhe pas shumë përpjekjesh u kthyer në jetë. Por pavarësisht luftës së stafit, fëmija nuk mundi të mbijetonte.

Njoftimi nga materniteti “Koço Gliozheni”:

Ashtu siç jeni njoftuar gjatë gjithë ditës së djeshme, pranë SUOGJ “Koço Gliozheni”, është sjellë në gjendje të rëndë traumatike, një foshnjë e lindur dhe e braktisur në ambientet e një garazhi !

Me të mbërritur në spital foshnjës i është dhënë ndihma e parë në reanimacionin neonatal dhe pas shumë përpjekjesh është arritur të kthehet në jetë edhe pse në gjendje të rëndë!

Për 24 orë është luftuar fort nga ana e stafit mjekësor për ta fituar betejën për jetën e kësaj foshnjeje. Pavarësisht punës, përpjekjeve dhe dëshirës së madhe për fat të keq kjo gjë nuk u arrit!

Me hidhërim të thellë njoftojmë humbjen e jetës së foshnjës!

Foshnja ndërroi jetë në orën. 10:45, datë 09.11.2023

Diagnozat klinike:

Lindje në term/ Lindje per vias vaginalis/ Hipotermi e thellë/Politraumë/ Hemorragji pulmonare/Insufiçience multiorganore/Arrest kardiorespirator

Falenderojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Punës Sociale, Policinë e Shtetit si dhe të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur fuqimisht në betejën tonë për jetën, që fatkeqësisht këtë herë e humbëm!


Shtuar 9.11.2023 11:37