Foshnja 5-ditëshe humbi jetën në maternitet, flet babai: Mjekja na tha është shumë mirë, mora dhe fletëdaljen

Pak ditë pas vdekjes së një foshnje 5-ditëshe në maternitetin e Vlorës, familjarët kërkojnë drejtësi. Babai i fëmijës Neritan Halilaj, tregon ekskluzivisht ngjarjen e rëndë për gazetarin Enrik Mehmeti, teksa nuk mundet t’i mbajë lotët.

Trauma për dy prindërit e rinj, është ende e dukshme dhe Neritani i ka ende të freskëta në memorie momentet kur mori lajmin e hidhur dhe kërkon përgjigjet e pyetjeve të tij.

Sipas Halilajt djali ka qenë shumë mirë.

Ka qëndruar 4 ditë në spital, për shkak se i kishin dalë disa shenja si puçrra në trup dhe do merrte mjekimin për to.

Ditën e pestë do e nxirrnin madje kanë edhe fletë-dalje nga spitali, por nuk kanë mundur ta nxjerrin të gjallë prej andej.

Ai tregon momentet më të vështira të jetës së tij që kaloi. “Arsyen nuk e di, e di doktoresha pse”, thotë babai.

Halilaj tregon se e ka lajmëruar bashkëshortja, e cila ka parë djalin e pajetë rrethuar nga doktorët. Ka shkuar në spital teksa kur ka parë djalin pajetë i ka rënë të fikët.

Kur është përmendur Halilaj thotë se ka nisur të kërkojë shpjegime, por askush si ka thënë asgjë. Sipas tij, fajtore është mjekja që i ka dhënë mjekim të gabuar ose antibiotikë.

DËSHMIA

“Djali lindi shumë mirë, eci shumë mirë në të gjitha. Kam komunikuar me doktoreshën, i kam thënë ka gjë djali, jo më tha është shumë mirë s’ka asgjë. Vajta ditën e katërt për ta nxjerrë më tha do ta mbajmë dhe sot, nesër do ta nxjerrim. Kam folur me nusen gjatë gjithë kohës. Më tha nuk ka ardhur doktoresha akoma për të bërë vizitën. Ndërkohë erdhi doktoresha, bëri vizitën, të gjitha, i dha fletëdaljen për të dalë. I bëri atë gjilpërën e bebit. Nga ora 11:00 deri në 12:00 kishte atë serumin që po e bënte. Në atë kohë më merr nusja në telefon, më thotë nuk po reagon djali fare, është bërë sterr i zi. Gjeti doktorët atje nusja, pyeste nuk i kthenin përgjigje. Pas pak pyeti doktoreshën, ajo i tha djali nuk ka shenja jete. Dyshoj që e ka doktoresha të gjithë fajin, çfarë ka bërë ajo nuk e di”, tha Halilaj.

Babai i fëmijës që humbi jetën thotë se e ka denoncuar në polici dhe në gjykatë. “Ia lë drejtësisë çështjen në dorë ta zgjidhi, në rast të kundërt do ta zgjidh vetë”, thotë ai. Shpresat tek drejtësia i ka të pakta por shpreson se për këtë rast nuk do të ketë tolerime.

“Që të humbasë një foshnjë jetën për një orë, unë nuk e di. Ku është arsyeja që ky fëmijë humbi jetën”?- tha babai.

“Unë do ta vazhdoj luftën deri sa ta gjej pse ka humbur jetën fëmija. Kurrë në botë nuk ia fal doktoreshës. Gjendja jonë është shumë kritike. Mirë djali që më humbi jetën, por nusja që ma kishin lënë të shtrirë atje, i kishte rënë 4 herë të fikët e nuk e kishin zënë me dorë. Çfarë prisnin të humbte dhe kjo jetën?! Mos e pyet çfarë traume?! Mos i rënë askujt kjo që më ka rënë mua”, deklaron ai.

Fëmija që humbi jetën ishte fëmija i dytë i familjes Halilaj. Neritani është babai i një vajze 5-vjeçe, tek e cila gjen forcën për të jetuar dhe vazhduar betejën siç tregon edhe vetë me çdo kusht.


Shtuar 8.10.2024 09:10