FORUM/ A është realist anëtarësimi i Ukrainës në NATO?

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ian Bond, drejtor i politikës së jashtme në Qendrën për Politika Evropiane:

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është thelbësor nëse Perëndimi dëshiron që të pengojë Vladimir Putinin – apo një udhëheqës të ardhshëm rus të ngjashëm me të – nga sulmi i ardhshëm ndaj këtij vendi. Sigurisht aleanca mund ta pranojë Ukrainën, e cila tani ka forcat e armatosura më të mëdha dhe me më përvojë luftarake në Evropë, të trajnuar gjithnjë e më shumë përgjatë linjave të NATO-s dhe duke përdorur pajisje standarde të saj.

Nëse anëtarësimi është real, ai varet nga vullneti politik i udhëheqësve të NATO-s. Deri më tani, shenjat janë se samiti i NATO-s në Vilnius nuk do t’i ofrojë Ukrainës një rrugë të qartë drejt anëtarësimit, dhe do të sugjerojë se kjo do të jetë e mundur vetëm pasi të përfundojë lufta, gjë që do e inkurajojë Putinin të vazhdojë të luftojë.

Unë mendoj se liderët e NATO-s duhet të jenë më të guximshëm. Putini ka ngurruar të përballet drejtpërdrejt me aleancën, por i ka shfrytëzuar sjelljet e saj të paqarta. Armiqësia e tij ndaj ekzistencës së Ukrainës si një shtet i pavarur nga Rusia, e shprehur gjatë shumë viteve, nuk do të zhduket sepse NATO po tregohet e përmbajtur.

Më së paku duhet që aleanca të rritë ndjeshëm sasinë e armëve dhe municioneve që dërgon në Ukrainë. Akoma më mirë – edhe pse më pak efektive se anëtarësimi zyrtar në NATO – do të ishin garancitë e vërteta mbrojtëse, si ato që Shtetet e Bashkuara i ofrojnë aktualisht Japonisë dhe Koresë së Jugut. Në këtë rast duhet që një numër forcash perëndimore të jenë vazhdimisht të stacionuara në territorin ukrainas, të mbështetura të paktën nga armët bërthamore të Britanisë së Madhe dhe Francës.

Eric Ciaramella, bashkëpunëtor në programin e Rusisë dhe Euroazisë në “Carnegie Endowment for International Peace”:

Po, por jo për një kohë të gjatë. Aleatët e NATO-s nuk mund ta ftojnë Ukrainën që të anëtarësohet pa mbaruar lufta. Pse? Sepse anëtarësimi do të sillte 1 nga 4 skenarët problematikë. Së pari, Ukraina mund të luftojë derisa të çlirojë të gjithë territorin e saj në mënyrë që të hyjë e tëra në NATO. Kjo mund të zgjasë vite dhe të ketë një kosto të madhe.

Së dyti, Ukraina mund të hyjë në NATO e ndarë, siç ndodhi me Gjermaninë Perëndimore në vitin 1955. Por kjo do të linte miliona ukrainas nën pushtimin rus dhe do të diktonte për një periudhë të pacaktuar të ndarjes territoriale.

Së treti, NATO mund të shfrytëzojë paqartësinë tekstuale të Nenit 5 për të mos vënë në zbatim paralajmërimet specifike të Ukrainës, siç kanë sugjeruar disa. Kjo gjë do të zvogëlonte fuqinë parandaluese të NATO-s. Së katërti, NATO mund të ndërhyjë për ta ndihmuar Ukrainën të rivendosë kufijtë e saj.

Është e kuptueshme pse Kievi kërkon qartësi nga NATO në Vilnius. Por një ftesë në kohë lufte vetëm sa do të ritheksonte qasjen e samitit të Bukureshtit të vitit 2008, duke mos ofruar asnjë rrugë të qartë drejt anëtarësimit dhe asnjë siguri shtesë.

Ndërkohë, Ukraina dhe partnerët e saj duhet të zhvillojnë një grup të fuqishëm angazhimesh të përkohshme të sigurisë, që ajo të mund të mbrohet derisa Rusia të vendosë të ndryshojë kursin. Por kjo ditë nuk ka gjasa të vijë derisa Vladimir Putin të mos jetë më president i Rusisë. Pasi ai të largohet, Rusia mund të përjetojë një periudhë tjetër trazirash të brendshme, siç ndodhi në vitet 1917 dhe 1991. Në atë moment NATO duhet të jetë e gatshme që të lëvizë me shpejtësi për ta pranuar Ukrainën në gjirin e saj.

Marta Dassù, këshilltare për çështjet evropiane në Institutin Aspen, Romë:

Aspirata e Kievit për anëtarësim në NATO nuk do të jetë e besueshme për sa kohë vazhdon lufta. As Shtetet e Bashkuara dhe as shumica e evropianëve nuk dëshirojnë që ta kalojnë “vijën e kuqe” të konfrontimit të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe NATO-s.

Tre dilema burojnë nga hendeku potencial midis aspiratës legjitime të ukrainasve për anëtarësim dhe prioriteteve perëndimore. Së pari, si të shmanget përsëritja e gabimit të NATO-s në vitin 2008 në samitin e Bukureshtit, ku Ukrainës dhe Gjeorgjisë iu bënë premtime të paqarta por pa asnjë angazhim të vërtetë. Dhe kjo qasje doli të ishte kombinimi më i keq i mundshëm.

Së dyti, si të sigurohet Kievi për garancitë e përforcuara dhe afatgjata të sigurisë, pa pranimin zyrtar në aleancë. Së treti, si të menaxhohet faktori kohë. Vladimir Putin duhet të bindet se koha nuk është në favorin e tij, dhe aleatët perëndimorë nuk duhet të ankohen në lidhje me  mbështetjen e tyre për Kievin.

Megjithatë, lidhja e anëtarësimit të Ukrainës me përfundimin e luftës mund të rrisë stimujt që rusët ta vazhdojnë luftën. Në fund, vetëm përparimi ushtarak ukrainas në terren do ta detyrojë Putinin të ndryshojë llogaritjet e tij. Dhe kjo kërkon më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi dhe integrimin de fakto të Ukrainës që duhet të parashikojë anëtarësimin e plotë në një moment të dytë.

Pozicioni i Ukrainës në peizazhin e sigurisë evropiane, ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme si pasojë e agresionit rus. Ajo nuk është një shtet tampon por një shtet kufitar. Prandaj format e “neutralitetit” e kanë humbur çdo lloj kuptimi, dhe këtë e tregoi së fundmi Suedia dhe Finlanda.

Është thelbësore të sigurohet që Moska ta kuptojë këtë pikë kyçe: NATO është vërtetë e përkushtuar të mbrojë pavarësinë e Ukrainës në terma afatgjatë, duke e bërë krejtësisht të pamundur për Rusinë që të riprodhojë ngjarjet e viteve 2014 dhe 2022.

François Heisbourg, këshilltar special në Fondacionin për Kërkime Strategjike, Francë:

Alternativat ndaj anëtarësimit në NATO janë më pak realiste sesa anëtarësimi i plotë.

Modeli izraelit i parashikuar nga disa zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë funksionon për Izraelin me një mungesë të pafundme të paqes, por me sigurinë që në fund të fundit mbështetet tek armët bërthamore, ndërsa Ukraina është një shtet jo-bërthamor.

Neni 42.7 i Traktatit të Bashkimit Evropian – një klauzolë e mbrojtjes së ndërsjellë – nuk i detyron Shtetet e Bashkuara, dhe shumë vende të BE-së nuk e shohin atë si nenin 5 të NATO-s. Ndaj Kievi do të vihej shpejt në provë nga Rusia. Nga ana tjetër, një version i forcuar i memorandumit fatkeq të Budapestit vështirë se do të merrej seriozisht nga Rusia apo Ukraina.

Të gjitha këto opsione, janë strategjikisht jorealiste dhe të paqëndrueshme. Modeli i duhur për Ukrainën në këto momente, do të ishte ai i pranimit të Gjermanisë Perëndimore në NATO në 1955, që u bë i mundur kur Boni hoqi dorë nga opsioni për të kërkuar ribashkimin me forcë në tetor 1954. Bashkimi Sovjetik ruajti de facto kontrollin e Gjermanisë Lindore ndërsa Perëndimi ripohoi se bashkimi paqësor mbetej një synim themelor që u arrit në vitin 1990. A mund të ndjekë Krimea të njëjtën rrugë?

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 11.07.2023 12:43