Media turke “haber7” i ka dedikuar një artikull fjalimit të kryeministrit, Edi Rama në Forumin e 17-të Strategjik të Bled-it, që u zhvillua dy ditë më parë në Slloveni.
Në Forum Rama foli për ndihmën që Turqia i dha Shqipërisë gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit.
“Teksa kritikoi qëndrimin e Bashkimit Evropian, Rama kujtoi dorën e ndihmës së Turqisë”, shkruan në mënyrë karakteristike media turke.
“Në çdo fjalim ju thoni le të ndihmojë që Ballkani të jetë me ne dhe të mos ketë ndërhyrje nga të tretë, por për vaksinat Serbia iu drejtua Kinës dhe Rusisë, ne vrapuam drejt Turqisë, po të mos ishte Erdogan do kishim më shumë fatalitete ky është realiteti, shpresoj që Europa të nxjerrë mësimet e veta”, tha Rama në Slloveni.
Ndër të tjera media turke i bën jehonë falënderimit që Rama i bën presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan për ndihmën që Turqia i dha vendit tonë për pandeminë e Covid-19.
“Po të mos ishte Erdogani, shumë njerëz do të kishin humbur jetën në vendin tonë”, ka thënë Rama në Forum.