Si asnjëherë tjetër, raporti i fundit i Fondit Monetar për Shqipërinë (FMN), i ka kushtuar vëmendje të lartë ndërtimit dhe tregut të pasurive të paluajtshme, duke paralajmëruar rreziqet që mund të ketë një kthesë në rënie në ecurinë e çmimeve dhe implikimet për sektorin financiar e bankar.
Zhvillimet në tregun e pasurive të palaujtshme, shtrenjtimi i çmimeve, rritja e interesave, rritja e kreditimit për këtë sektor nga bankat dhe hyrja e flukseve të huaja përmendjen disa herë në raport.
FMN thekson se ekonomia është e ndjeshme ndaj një ndryshimi në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme, pasur parasysh kontributin në rritje të sektorit në ekonomi dhe ekspozimin në rritje të bankave.
Bordi i Drejtorëve të FMN-së e vuti thekson në rëndësinë e rritjes së vigjilencës ndaj stabilitetit financiar të politikëbërësve, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të kredisë dhe të aktiviteteve të pasurive të paluajtshme.
“Mbikëqyrja do të duhet të ndjekë rritjen e huadhënies bankare, veçanërisht huadhënien në valutë, dhe aktivitetet e lidhura me pasuritë e paluajtshme, dhe të ndërmarrë veprime sipas nevojës për të frenuar çdo rrezik të tepruar”, thuhet në raportin e FMN-së.
FMN rekomandon që të adresohen mangësitë e rëndësishme të të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet dhe të garantohet një mbikëqyrje e zgjeruar e ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar. Sektori po bëhet një kanal i rëndësishëm për lidhjet makro-financiare, duke pasur parasysh kontributin e tij në rritje në aktivitetet ekonomike dhe rritjen e financimit nga bankat dhe flukset e huaja. Vrojtimet e BSH-së tregojnë gjithashtu një rritje të shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme, thotë FMN.
Pavarësisht përpjekjeve të fundit të BSH-së, mungesat e konsiderueshme të të dhënave ende pengojnë monitorimin dhe identifikimin në kohë të rreziqeve të mundshme. “Mungesa e të dhënave të besueshme e pengon BSH-në të monitorojë siç duhet rritjen me ritme të shpejta në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të zhvillojë politika makroprudenciale përkatëse”, thekson FMN.
FMN thekson se Shqipëria duhet të përshpejtojë përpjekjet për të dalë nga lista gri e pastrimit të parave, ku është futur nga FATF (mekanizimi i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave) dhe të vazhdojë të riafirmojë angazhimin e saj ndaj një kuadri të fortë kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Një prej rekomandimeve është shtimi i përpjekjeve për të kryer inspektime të bazuara në rrezik të njësive të biznesit profesionale dhe jo financiare – duke përfshirë kompanitë e ndërtimit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme.
Në grafikët e FMN-së (shih figura 9 në fund) jepet rritja e kontribuitit të ndërtimit në ekonomi vitet e fundit, shtimi i ndjeshëm i huadhënies për ndërtim dhe pasuri të paluajtshme nga viti 2019, megjithëse normat e interesit po shtrenjtohen. Po ashtu dhe tendenca e çmimeve është në rritje të shpejtë./Monitor