Gjatë një interviste në Dita Jonë në A2 CNN, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo, ka rrëfyer marrëdhënien me liderin demokrat Sali Berisha, duke u shprehur se ai është më i miri në Partinë Demokratike.
E pyetur nëse Berisha duhet t’ia lërë vendin dikujt tjetër në parti, Garo u përgjigj se nuk është kreu demokrat problemi në PD.
“Mund të them që zoti Berisha nga çfarë unë kam parë në PD. Unë besoj që është më i miri në PD, e them me plot bindje, jo si zëdhënëse e PD. Ai është me dritë-hije. Ka gabimet e veta, por ai punon më shumë se kushdo tjetër, ka forcë karakteri më shumë se kushdo dhe nuk mendoj që Berisha është problemi i PD, siç mund ta thonë të tjerë. Gara është e hapur kush të dojë të garojë. Shumë thonë që garoj, po të iki Berisha, kjo nuk është e drejtë”, tha Garo.
Teksa foli për marrëdhënien me Berisha ajo theksoi se në shumë raste e kërkon mendimin e saj, por vendimet i merr vetë.
Ajo e përshkroi liderin demokrat si jo shumë të lexueshëm, ndërsa të tjerët në PD sipas saj nuk janë të drejtpërdrejtë dhe të hapur me të.
“Mendoj që e kërkon mendimin tim me raste të caktuara. Në disa përudha ai do ta dijë se çfarë mendoj dhe ka momente që është shumë i qartë. Nuk është shumë i lexueshëm si natyrë. Ai do mendim, vendimet i merr vetë. Por do ti dëgjojë mendimet e të tjerëve. Brenda partisë jo të gjithë janë të drejtpërdrejtë e të hapur me të”.
Gjithashtu, Garo foli edhe për karrierën e saj politike të cilën e sheh si një shërbim ndaj njerëzve.
