Flet e dashura e turistit italian që vdiq në Velipojë: Policia keqinformoi, nuk ishim të dehur

Një aksident tragjik ndodhi në plazhin e Velipojës më 18 gusht, ku 19-vjeçari italian Nicola Iorio humbi jetën pas një përplasje mes dy jet-skieve. Nicola ishte në Shqipëri për pushime me të dashurën e tij, Giusy Di Tella, dhe vëllain e saj, Salvatore Di Tella, i cili është arrestuar nga policia e Shkodrës për vrasje nga pakujdesia.

Giusy Di Tella ka reaguar ndaj akuzave të ngritura nga policia dhe ka sqaruar se ata nuk kishin konsumuar alkool ose drogë në momentin e aksidentit. Ajo thekson se përplasja ishte një ngjarje e pafat dhe e papritur.

Sipas Giusyt, ajo dhe Nicola po bënin një xhiro me jet-ski dhe në momentin e përplasjes, ajo ishte duke regjistruar një video me celularin e saj. Vëllai i saj, Salvatore, ka tentuar të ndihmojë Nicola-n dhe e ka nxjerrë në breg, por ai nuk ka mbijetuar.

Giusy akuzon policinë për raportimin e një versioni të pasaktë të ngjarjes dhe ka kërkuar ndihmë nga autoritetet italiane për të siguruar që e vërteta të dalë në pah. Ajo insiston se aksidenti ishte thjesht një fatkeqësi dhe se vëllai i saj nuk kishte asnjë faj.

Të rinjtë kishin ardhur në Shqipëri për një dasmë dhe kishin vendosur të kalonin disa ditë pushimi në plazhin e Velipojës.

Dëshmia e Giusyt: “Autoritetet shqiptare kanë lëshuar trupin e të dashurit tim dhe tani po përgatitemi të kthehemi në Itali. Dua të theksoj se ishte një aksident tragjik dhe se ne nuk kishim konsumuar alkool ose drogë. Ne ishim gjithmonë shumë të lidhur si një familje. Dy jet-ski-të ishin larg njëra-tjetrës dhe ne nuk ishim shumë larg bregut, ndryshe nga sa është raportuar. Ndërkohë që po regjistroja një video me celularin tim, Nicola më kërkoi ta fikja atë. Në atë moment ndodhi përplasja në anën e djathtë të jet-ski-së tonë.

Vëllai im u hodh menjëherë në det për të shpëtuar Nicola-n dhe e nxori në breg, por ai nuk mbijetoi. Është e rëndësishme të ritheksoj se ishte një aksident tragjik dhe vëllai im nuk ka asnjë faj. Këtu në Shqipëri, duket se kërkojnë gjithmonë një fajtor, dhe për këtë arsye po kërkojmë ndihmë nga autoritetet italiane.”


Shtuar 20.08.2024 18:52