Flet burri që humbi bashkëshorten dhe fëmijën nga përmbytja në Pejë: Luftova për t’i shpëtuar, nuk ia dola

Familja Ademi ka hapur sot dyert e mortit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Mirsadës 26 vjeç dhe djalit të saj, Dionit 5 vjeç (nënë e bir), të cilët humbën jetën mbrëmjen e së shtunës si pasojë e përmbytjeve në Pejë të Kosovës.

Nënë e bir ndodheshin në banesë në momentin kur uji ka vërshuar dhe ka marrë shtëpinë e tyre përpara.

Dritan Ademi cili humbi djalin dhe gruan ka rrëfyer për Euronews Albania si ndodhi ngjarja tragjike, ndërsa ka treguar se shtëpia u mbush me ujë për 30 sekonda.

Mes lotësh ai tregoi se në momentin ku shtëpia u mbush me ujë ai u mundua të shpëtonte të gjitha familjarët, por nuk ia doli, sepse e zuri korrenti.

“Fëmijët i kam kapur në dorë, unë njërin, babi mori vajzën e vogël, shoqja kapi djalin që tashmë nuk është, s’di të ta shpjegoj më shumë, jam munduar t’i shpëtoj të gjithë, pastaj na zuri dhe korrenti, aty e kam humbur komplet ekuilibrin dhe s’kam ditur as ku jam. Për 30 sekonda u mbush gjithë shtëpia me ujë,” – tregoi ai.

Sipas Dritanit, nëse nuk do të ishte për korrentin mund të kishin shpëtuar të gjithë. Ai vet ka lëndime bashkë me djalin e madh. Vajza fatmirësisht ka shpëtuar pa u lënduar.

Ndërkaq, Dritani tha se për 3 herë kishte mundur ta shpëtonte të shoqen, por herën e fundit kur kishte kthyer kokën atë e kishte marrë rrjedha dhe u gjet 3 banesa më tej e vdekur./albeu.com/


Shtuar 26.06.2023 14:26