Flakët që nisën në Delvinë tashmë përhapen edhe në Gjirokastër, kërcënim serioz për disa fshatra

Flakët që nisën nga Bashkia e Delvinës kanë përfshirë malin e Sopotit dhe tashmë kanë hyrë në territorin e Bashkisë Gjirokastër.

Korrespondentja e Top Channel Kristina Fidhi raporton se zjarri, i fuqizuar nga era dhe thatësira, paraqet një kërcënim serioz për qytetin e Gjirokastrës dhe fshatin Lazarat.

Forcat zjarrfikëse të Gjirokastrës po luftojnë për ta ndalur përhapjen e flakëve, të ndihmuara nga disa banorë të Lazaratit, të cilët po përballen me zjarrin në majën e Sopotit. Çdo minutë konsiderohet kritike, ndërsa flakët vazhdojnë të mbulojnë zonën, duke rritur rrezikun e përhapjes.

Operacioni i emergjencës vazhdon pa garanci se zjarri do të kontrollohet së shpejti, ndërsa autoritetet apelojnë për kujdes maksimal dhe respektim të udhëzimeve për evakuim nga banorët e zonës.


Shtuar 13.08.2025 16:52