JJ, artisti austriak që triumfoi në Eurovision këtë vit në Bazel, ka ndezur debat pas thirrjes publike për përjashtimin e Izraelit nga edicioni i ardhshëm i festivalit, i cili do të mbahet në Vjenë.
Në një intervistë për mediat ndërkombëtare, JJ u shpreh i zhgënjyer nga fakti që Izraeli lejohet ende të marrë pjesë në një konkurs që pretendon të jetë “politikisht neutral”. “Do të doja që Eurovision-i në Vjenë të mbahej pa praninë e Izraelit”, tha ai për El País.
Kritikat e tij vijnë në një kohë kur Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) përballet me presion në rritje, pasi disa vende – përfshirë Belgjikën, Spanjën dhe Gjermaninë – po kërkojnë më shumë transparencë lidhur me mënyrën e votimit në garë, veçanërisht në raport me përfshirjen e Izraelit në një periudhë të tensionuar politike dhe humanitare.
JJ vuri gjithashtu në pikëpyetje ndershmërinë e sistemit të votimit, duke e cilësuar si jotransparent dhe duke bërë thirrje për reforma që do t’i jepnin më shumë besueshmëri garës.
Në sfond të kësaj kritike qëndron një debat më i gjerë që ka përfshirë audiencën dhe institucionet mediatike në Europë, që ndajnë të njëjtin shqetësim: a mund të jetë vërtet Eurovision apolitik, kur në skenë lejohet një shtet i akuzuar për krime të rënda ndaj civilëve?
Tani, me Vjenën si mikpritëse të Eurovision-it 2026, sytë janë nga EBU: do të dëgjojë zërat kritikë apo do të vazhdojë në rrugën e saj pa ndryshime?