Lideri i konservatorëve në Greqi, Kyriakos Mitsotakis, ka mposhtur rivalin e tij të qendrës së majtë, Aleksis Tsipras, dhe ka thënë se ky është një “mandat i fuqishëm” për të ecur përpara në rrugën e ndryshimeve.
Të dielën, Greqia mbajti zgjedhjet e dyta parlamentare brenda një muaji. Partia Demokracia e Re e Mitsotakisit fitoi 40.5 për qind të votave, pothuajse 23 për qind më shumë sesa partia e Tsipras, Syriza.
Ai mposhti Syrizan edhe në maj, mirëpo i ka shpallur zgjedhjet e reja për të fituar shumicën e nevojshme për të qeverisur shtetin vetë.
“Demokracia e Re është sot partia më e fuqishme e qendrës së djathtë në Evropë”, u ka thënë Mitsotakis mbështetësve të vet në Athinë.
Mitsotakis njihet për rikthimin e stabilitetit në ekonominë e Greqisë dhe menaxhimin e borxheve.
Ndonëse aktualisht shumë grekë vuajnë nga rritja e çmimeve të jetesës, ata kanë votuar për partinë që ka premtuar taksa më të ulëta dhe përmirësim të shëndetit publik. Partia e Tsiprasit, Syriza, ka humbur edhe më thellë sesa në zgjedhjet e kaluara, duke fituar rreth 18 për qind të votave.
Ai i ka hedhur poshtë spekulimet për dorëheqje, duke thënë se një vendim i tillë u takon pjesëtarëve të partisë./REL/