Luigj Aliaj, kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për bordin që lajmëroi kryeministri, ku do të marrin pjesë edhe furnizuesit e naftës dhe ku do të vendoset kufizimi i marzhit të fitimit, për të mos lejuar spekulimet me çmimin e naftës.
Aliaj tha se e mirëpresin nismën e Ramës, por sipas tij karburantet në Shqipëri nuk fitojnë shumë!
“Qeverinë e shoh arbitër mes nesh dhe konsumatorve. T’ja shpjegojnë njerëzve që blerja ka arritur në 170 lek litri.
A fitojnë shumë karburantet? Është biznesi më i kontrolluar dhe i fiskalizuar. Çdo blerje në bursë deklarohet në doganë. Fitimi është më pak rentabël në Shqipëri. Është pa interes, pa fitim”, tha Aliaj.
Aliaj shpjegoi së çmimi i naftës në Shqipëri është më i lartë se në rajon dhe vendet e Europës, për shkak se mbart brenda shumë taksa
“Në 2008 akciza ka qenë 7 lek, tani është 38.5. Nuk ka ekzistuar taksa e qarkullimit. Ka kaluar 27 lek. Taksë karboni nuk kishte. Pra, të gjitha këto bashkë, bashkohen me çmimin e blerjes. Edhe dollari ka lëviz. Shtohet edhe TVSH. Prandaj nuk bëhet krahasim me Gjermaninë apo Kosovën”, tha Aliaj.