Firmoset marrëveshja kundër falsifikimit të parave

Sot, 17 janar, është nënshkruar marrëveshja e Bashkëpunimit Ndërinstitucional për mbrojtjen e monedhave kundër faksifikimit.

Banka e Shqipërisë, Policia dhe Prokuroria thelluan bashkëpunimin institucional në frenimin e falsifikimit të kartëmonedhave, jo vetëm të lekut por edhe të monedhës europiane, Euro.

Marrëveshja u firmos nga guvernatori i BSH Gent Sejko, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe prokurori i Përgjithshëm Olsjan Cela.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, tre institucionet kurorëzuan punën e tyre voluminoze të nisur vite më parë për rritjen e bashkëpunimit në parandalimin dhe mbrojtjen e monedhave ndaj falsifikimit, si dhe goditjen në kohë të këtij fenomeni në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Guvernatori Sejko u shpreh se kjo marrëveshje dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në rritjen në vijimësi të cilësisë dhe sigurisë së monedhës kombëtare në qarkullim.

Ai u shpreh se të dhënat e fundit tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim. Megjithatë, pavarësisht shifrave të ulëta, institucionet janë të vetëdijshme se duhet të jenë vigjilente dhe proaktive, pasi falsifikuesit përpiqen të ecin gjithashtu me hapin e teknologjive të reja për aktivitetet e tyre kriminale.

Marrëveshja e Bashkëpunimit lidhet me zbatimin e rekomandimeve të Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KSA) midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi në përqasje me standardet evropiane. Ndaj me nënshkrimin e saj, Banka e Shqipërisë përmbush dhe një nga prioritetet për zbatimin e rekomandimeve të KSA-së./albeu.com.