Pedagogia dhe anëtarja e Gjykatës Kushtetuese prej vitit 2019, Fiona Papajorgji është zgjedhur kryetare dhe do të drejtojë institucionin për 3 vitet e ardhshme, pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçaj.
Ajo është e vetmja që ka shprehur interes për këtë pozicion, duke vendosur që tre vitet e ardhshme të jetë drejtuese e Gjykatës Kushtetuese. Si anëtare, ajo është emëruar në 2019.
Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë që qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, dhe Kryetari zgjidhet me votim të fshehtë, prej tyre, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Fiona Papajorgji ka marrë besimin e më shumë se 5 kolegëve nga Gjykata Kushtetuese dhe është zgjedhur kryetare e institucionit të vetëm dhe më të lartë të Republikës, që shqyrton kushtetutshmërinë e akteve, ligjeve dhe dekreteve shtetërore.
Dr. Fiona Papajorgji, anëtare e Gjykatës Kushtetuese
Lindur më 12.03.1976 në Vlorë. Diplomuar në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit, Itali. Në vitin 2012 ka marrë gradën shkencore “Doktore e shkencave juridike” në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Barit. Në vitet 2000-2008 ka ushtruar profesionin e asistent avokatit dhe me pas të avokatit pranë firmave ligjore në Bari.
Gjatë periudhës 2009-2011 ka punuar si juriste pranë Drejtorisë së Kërkimeve, Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në vitet 2011-2019 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Prej vitit 2007 e në vazhdim ushtron mësimdhënien si lektore e së Drejtës Publike në disa universitete, si dhe ka qenë eksperte në disa projekte pranë Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, në procesin e përafrimit të legjislacionit etj.
Ka qenë autore e disa artikujve shkencorë në fushën e së drejtës kushtetuese. Në vitin 2019 është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës si pedagoge në dispozicion për vitin e parë të Programit të Formimit Fillestar. Gjatë vitit 2020 ka ushtruar funksionin e anëtares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në muajin nëntor të vitit 2019 është emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
