Gjithnjë e më shumë dhe hapur, flitet për një largim të mundshëm të Putin nga pushteti, si e vetmja zgjidhje për të rivendosur paqen në Ukrainë dhe për një qëndrueshmëri të Rusisë. Por analistë mendojnë se rrëzimin e tij mund ta bëjë vetëm elita ruse dhe drejtuesit e lartë ushtarakë
“Sanksionet perëndimore synojnë rrëzimin e Putin nga pushteti. Deklarata u bë një ditë më parë nga zëdhënësi i kryeministrit britanik Boris Xhonson, dhe më pas u përgënjeshtrua. Fraza e rrëzimit të Putin u zëvendësua me ndalimin e luftës.
Por largimi i Putin nga pushteti i Putin po diskutohet gjithnjë e më shumë dhe më hapur si në Londër dhe në Europë. Në fakt shihet si e vetmja zgjidhje për të risjellë paqen në Ukrainë dhe qëndrueshmërinë në Rusi. Nën sekretari i ministrisë së jashtme britanike, Xhejms Kleverli, nuk e përdor aspak diplomacinë kur si bën apel liderëve ushtarakë rusë.
Ai thekson se ata duhet ta dinë se Putin është gjithnjë e më shumë i palogjikshëm dhe gjeneralët rusë kanë mjetet për ta rrëzuar dhe duhet të veprojnë. Gideon Rakmen, analist i Financial Times shprehet se është shumë e besueshme që e vetmja rrugë për paqen është ndërhyrja e elitës ruse për të detyruar Putin që të lëshojë pushtetin.
Dhe analistë të tjerë mendojnë njësoj, duke shtuar se shoqëria ruse është e lodhur dhe kërkon një ndryshim në drejtimin e vendit. Mund të kalojë kohë para se pasojat e luftës në Ukrainë të shkaktojnë këtë ndryshim por me pushtimin e vendit, Putin ka vendosur një bombë nën sistemin personal të pushtetit
Janë tre elementet që shtyjnë në këtë drejtim: lufta nuk po shkon ashtu si shpresonte Putin, reagimi ndërkombëtar është më i fortë dhe më i bashkuar se sa prite dhe reagimi i brendshëm është katastrofik. Me këtë të fundit ata i referohen rënies së vlerës së rublës dhe bursës; të famshëm, oligarkë, familjarë të bahkëpunëtorëve më të ngushtë të Putin e dënojnë këtë luftë. Një sondazh i pavarur tregon se vetëm 45% e popullsisë ruse e mbështesin aventurën ushtarake në Ukrainë.
Është e mundur që pakënaqësia të jetë shtrirë dhe në rrethin e ministrave, këshilltarëve dhe biznesmenëve të lidhur me Kremlinin. ka një precedent të një lideri të Kremlinit që u detyrua të japë dorëheqjen: Krushov në 1964-ën me akuzën e gabimeve të rënda politike. Sipas Rakmen, i Financial Times, Putin qeveris si një car para sovjetik. Por herët a vonë vetmia mund t;i kthehet kundër duke e lënë pa aleatë apo bashkëpunëtorë.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ish drejtori i inteligjencës, Klaper dhe ish ambasadori në Moskë Mekfaul thonë se Putin është i paqëndrueshëm mendërisht. Sipas tyre kjo është e mundur duke marrë parasysh faktorin moshë dhe izolimin për shkak të COVID.
Ish këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë Fiona Hill, shprehet se Putin aktualisht jeton në izolim, ka shumë pak kontakte dhe nuk ka më besim as te miqtë e tij. Por ka dhe analistë të cilët paralajmërojnë se përballë makthit të humbjes ai mund të mendojë se armët bërthamore janë e vetmja rrugëdalje. Të paktën nëse dikush nuk e ndalon më parë nga brenda regjimit.