Financial Times: Izraeli kërkon të zgjasë mbështetjen ushtarake nga SHBA, bisedime për një marrëveshje të re 10-vjeçare

Izraeli po përgatitet për bisedime me administratën e Donald Trump mbi një marrëveshje të re 10-vjeçare sigurie, duke synuar zgjatjen e bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në, edhe pse udhëheqësit izraelitë sinjalizojnë se po planifikojnë një të ardhme me më pak grante direkte amerikane, raporton Financial Times.

Gil Pinchas, i cili së fundmi u largua nga posti i këshilltarit kryesor financiar të ushtrisë dhe ministrisë izraelite të Mbrojtjes, tha se Izraeli do të kërkojë të fokusohet më shumë në projekte të përbashkëta ushtarake dhe të mbrojtjes sesa në “para falas”.

Sipas tij, ndihma direkte financiare prej rreth 3.3 miliardë dollarësh në vit mund të ulet gradualisht.

“Partneriteti është më i rëndësishëm sesa vetëm çështja financiare. Ka shumë elemente që vlejnë po aq sa paratë”, tha Pinchas për FT.

Në vitin 2016, SHBA dhe Izraeli nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për periudhën 2019–2028, që parashikon 38 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, përfshirë 33 miliardë dollarë grante për pajisje ushtarake dhe 5 miliardë dollarë për sisteme mbrojtjeje raketore.

Më herët këtë muaj, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, deklaroi se shpreson të ulë gradualisht varësinë e Izraelit nga ndihma ushtarake amerikane gjatë dekadës së ardhshme.


Shtuar 27.01.2026 08:58