Sipas të dhënave paraprake oferta e investitorëve për t’i dhënë borxh Shqipërisë ka qenë 1.2 miliardë euro ose 70 për qind mbi shumën e kërkuar. Eurobondi është emetuar me kupon 3.5 për qind, ndërsa interesi efektiv ka rezultuar 3.75 për qind.
Interesi I eurobondit të emetuar këtë të enjte është pak a shumë në të njëtat nivele me atë të eurobondit që u emetua një vit më parë. Në vitin 2020, qeveria shqiptare mori borxh me interes 3.62 për qind, por afati ishte 7 vjecar, ndërsa këtë vit afati i maturimit të eurobondit është 10 vjet.
Por a është ky interes i favorshëm? Në raport me historikun e Shqipërisë kjo është një nga normat më të ulëta të interesit me të cilën vendi ka marrë borxh duke patur parasysh që bëhet fjalë për hua afatgjatë me afat kthimi 10 vjecar.
Por krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria e merr borxhin më shtrenjtë. Këtë vit kanë dalë në tregjet ndërkombëtare edhe vende të tjera të rajonit. Në mars Maqedonia e Veriut arriti të marrë 700 milionë euro borxh përmes një eurobondi 7 vjecar me normë interesi prej 1.62 për qind, dukshëm më ulët nga Shqipëria.
Po kështu pak javë më parë Serbia mori 1 miliardë euro borxh përmes emetimit të dy eurobondeve. I pari me afat maturimi 7 vjecar rezultoi me interes 1 për qind, ndërsa I dyti me afat 15 vjecar pati një interes prej 2.05 për qind.
Momenti i emetimit të Eurobondit duket se është ndikuar edhe nga zhvillimet në ecurinë e çmimeve. Muajt e fundit Europa po përballet me një valë inflacioni, e cila ka filluar sakaq të ndikojë tregun e borxheve sovrane duke çuar në rritjen e interesave. Me gjasa, epoka e interesave të ulët po shkon drejt fundit dhe ekspertët presin që normat e interesit të rriten ndjeshëm gjatë muajve në vijim./Monitor/