Aktorja e njohur amerikane, Sydney Sweeney, ka reaguar pas rezultateve të filmit të saj të fundit, “Christy”, një dramë biografike për boksieren e famshme, Christy Martin. Filmi, i cili u lansua më 7 nëntor në mbi 2,000 kinematë amerikane, arriti të fitojë 1.3 milion dollarë në javën e tij të parë të premierës, duke u renditur në vendin e 11-të mes filmave të tjerë të shfaqur atë fundjavë. Megjithatë, ndonëse shifrat nuk ishin ato që priteshin, audienca ka reaguar pozitivisht, me një vlerësim 99% në Rotten Tomatoes.
Në një postim emocionues në rrjetet sociale, Sweeney shprehu krenarinë e saj për këtë projekt dhe për ekipin që e krijoi atë. Ajo theksoi se ky film përfaqëson mbijetesën, guximin dhe shpresën dhe se ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën në familje. “Ky film është një nder i madh për mua. Jam krenare për këtë histori që treguam dhe për mundësinë për të përfaqësuar dikë si Christy Martin, një grua kaq e fortë dhe e qëndrueshme,” shkroi aktorja.
Sweeney beson se arti nuk është gjithmonë për shifra, por për ndikimin që lë tek të tjerët. Ajo e mbylli postimin duke falenderuar publikun për mbështetjen dhe duke shtuar se nëse filmi ka ndihmuar një grua të bëjë hapin e parë drejt sigurisë, atëherë ata e kanë arritur qëllimin e tyre.
“Christy” tregon historinë e boksieres Christy Martin, një gruaje që luftoi për t’u bërë një nga boksierët më të njohur në botë, duke sfiduar normat dhe presionet shoqërore.
