Në nisje të sezonit të ri politik në vend, në Partinë Demokratike kanë nisur “spastrimet”.
Sot janë hequr nga grupet e aplikacionuit WhatsApp, deputetët demokratë të cilët nuk arritën të rikonfirmoheshin në parlament, pasi u lanë jashtë listës së mbyllur.
Ata janë hequr papritur dhe pa asnjë njoftim paraprak nga sekretari i përgjithshëm Flamur Noka.
Kandidatët që humbën në garën e 11 Majit e kishin të qartë se sipas statutit nuk do të mund të ishin më pjesë e forumit të lartë. Por sipas rregullave ata janë ende deputetë për sa kohë parlamenti nuk është mbledhur akoma.
Kjo lëvizje mund të jetë e lidhur me mbledhjen e afërt forumeve, që është javën e ardhshme.
Disa prej kandidatëve që nuk fituan janë shprehur duke folur për nevojën e një analize të humbjes së thellë që PD pësoi, apo edhe nevojën e hapjes së partisë dhe ndryshimeve në drejtimin e saj, gjë e cila bie në kundërshtim me linjën e kryetarit të partisë Sali Berisha.
Hapja e një debate të brendshëm do të ishte shqetësues për PD-në, prandaj edhe Noka ka gjetur një rrugë të thjeshtë për të parandaluar nisjen e këtyre debateve.