Fillimi i negociatave me BE, Alibeaj: Ditë e mirë për Shqipërinë, barrë prove për qeverinë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibej, ka reaguar në lidhje me nisjen e negociatave në Shqipërisë me Bashkimin Europain. Alibeja shkruan se është një lajm i mirë për shqiptarët dhe një barrë sprove për qeverinë që duhet të japë provime të vështira.

“Tam-tamet për të katërtën herë të qeverisë për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në janë shenjë e qartë se këto 9 vite, hapat pas janë më të shumtë në numër se ato drejt integrimit. Shqiptarët janë një komb i orientuar qartas drejt vlerave europiane, dëshira dhe vullneti i tyre për të qenë pjesë e saj, kanë qenë dominuese këto 30 vitet e fundit. E megjithatë politika në përgjithësi dhe qeveria Rama në 9 vite është treguar e paaftë, nënçmuese dhe hera herës refraktare për ta integruar Shqipërinë dhe shqiptarët në familjen europiane. Notat “sovraniste”, përdorimi i euroskepticizmit apo justifikime të tjera kanë qenë boja që ka lyer rrënojat e një shteti të keqndërtuar dhe që nuk arrin dot të plotësojë standartet e kërkuara.

Sot është një ditë e mirë për Shqipërinë, një hap përpara për shqiptarët drejt realizimit të ëndrrës së tyre. Por është në të njëjtën kohë dhe një barrë e madhe prove për qeverinë që tashmë duhet të japë provime të vështira. Nga ato që nuk i kalon dot me propagandën banale të së përditshmes kryeministrore. Sikundër është dhe një provë për të gjjthë klasën politike dhe shoqërinë shqiptare për të përqafuar standarte dhe për të përballuar sfida të standarteve europiane. Nga ato që nuk janë peng i shkollës së vjetër bolshevike të pengjeve të politikës shqiptare të tranzicionit”, shprehet Alibeaj./albeu.com


Shtuar 19.07.2022 12:28