Blendi Fevziu ka folur për politikanët e rinj që janë shfaqur në Shqipëri, të cilët i konsideron si kopje të politikanëve të vjetër, duke i quajtur “demagogë” dhe “fallco”.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Fevziu tha se vetëm Arlind Qori, kreu i Lëvizja Bashkë, i duket një politikan që flet dhe jeton ashtu siç mendon, ndërsa për të tjerët deklaroi se janë “matrioshka” të politikës së vjetër.
“Nuk i kam ndjekur të gjithë. Kam vërejtje duke i patur në studio. Problemi i të rinjvë është se janë demagogë dhe të pavërtetë sa të vjetrit, me përjashtim të Arlind Qorit. Jam kundërshtar ideologjik me të, por mendoj se ai flet dhe jeton ashtu siç mendon. Ne mendojmë ndryshe, kam prerje të djathtë, ai i majtë, megjithatë nuk jam politikan. Arlind Qori, i vetmi që flet dhe jeton siç mendon. Pjesa tjetër, kanë problem madhor, janë fallco dhe demagogë sa të vjetrit, janë miniaturë të politikanëve të vjetër. I adhurojnë ata dhe kanë atë model. Nuk shkatërrohet modeli duke qenë matrioshka të atij modeli.
Është moment boshllëku që forcat e reja mund të shfrytëzonin, por kam bindje se po qe fallco votuesi ka instinkt dhe nuk të voton. Ata thonë ky vend është vjedhur 30 e ca vjet, kjo është parrullë, është të recitosh. Njëri madje më ka thënë një gjë të tmerrshme, ty ç’të duhet të bëjmë dhe ne pak politikë. Unë i thashë e kam studion të thuash të vërtetën, jo të bësh ti politikë.
A e ke vënë re të rinjtë prej 20 vitesh? Marrin formën e shishes së kryetarit.
E vetmja që nuk po ndodh, meqë ka lënë Rama mjekërr, nuk është çudi ta kishte gjithë mazhorancën me mjekërr…”, tha Fevziu.