Këtë 4 korrik, SHBA-të festojnë 245 vjetorin e pavarësisë. Me këtë rast, ambasada amerikane në Tiranë, ka publikuar një album me foto, ku u organizuan aktivitete për të festuar Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në vitin e ardhshëm, ne mirëpresim të çojmë akoma më përpara demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin”, shkruan ambasada amerikane në Facebook.
Ndërkohë, ambasada publikon edhe fjalën e ambasadores Yuri Kim, e cila nënvizoi se kjo ditëlindje e SHBA përkon edhe me 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
“Kështu që ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara dhe 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, le të vendosim të çmojmë, të vlerësojmë, të mbrojmë dhe të përtërijmë demokracinë; për të kujtuar aspiratat e atyre që shpallën pavarësinë – qoftë në vitin 1776 në Filadelfia apo 1991 në Sheshin Skënderbej; dhe për të luajtur rolin tonë në bërjen e atyre aspiratave më të vërteta për brezin e ardhshëm”, tha ambasadorja Kim.
Nga fotot e publikuara prej ambasadës, bie në sy që të pranishëm kanë qenë Presidenti i vendit, Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, krytari i Kuvendit Gramoz Ruci, por ka munguar kryeministri Edi Rama.
Lexoni fjalën e plotë të Ambasadores Kim:
245 vjet më parë, Kongresi i Dytë Kontinental, që përfaqësonte 13 kolonitë amerikane të Mbretërisë, miratoi Deklaratën e Pavarësisë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që nga ajo kohë: Në vend të 13 kolonive të grumbulluara përgjatë Oqeanit Atlantik, ne tani jemi 50 shtete dhe pesë territore që shtrihen në të gjithë globin, përfshirë Guamin – shtëpinë ime – e cila është më afër vijëndarëse të datës dhe aty ku fillon dita e Amerikës.
Kongresi Kontinental përbëhej nga 60 anëtarë – të gjithë burra, të gjithë pronarë tokash të klasës së mesme dhe disa skllavopronarë me origjinë britanike. Kongresi i 117-të i SHBA, festuar këtë vit, përfshin 124 ligjvënës të cilët janë të zezakë, hispanikë, ishullorë të Azi/ Paqësorit ose amerikanët vendas – pasardhës të skllevërve, ata që ishin këtu shumë përpara se të “zbulohej” Amerika, emigrantë që erdhën në Amerikë me xhepa bosh, por me ëndrra të mëdha. Ka edhe gra – përfytyrojeni pak!
Deklarata e Pavarësisë përmban pohimin e mirënjohur se: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, që të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisura nga Krijuesi i tyre me disa të Drejta të patjetërsueshme, dhe midis tyre janë Jeta, Liria dhe ndjekja e lumturisë. — Që për të siguruar këto të drejta, Qeveritë themelohen prej Njerëzve, duke marrë të drejtën e tyre për pushtet nga pëlqimi i të qeverisurve, – Që sa herë që ndonjë formë e qeverisjes bëhet shkatërruese e këtyre qëllimeve, është e Drejta e Popullit të ndryshojë ose ta shfuqizojë atë, dhe për të themeluar Qeverinë e re, duke hedhur bazat e saj mbi parime të tilla dhe duke organizuar kompetencat e saj në një formë të tillë, saç do t’u duket atyre se ka shumë të ngjarë të ndikojë në Sigurinë dhe Lumturinë e tyre.”
Deklarata e Pavarësisë ishte një deklaratë e së vërtetës, por më shumë një shpallje e aspiratës, dhe që kur ato fjalë tingëlluan për herë të parë në vitin 1776, populli amerikan është përpjekur – ndonjëherë është përpjekur dhe ka luftuar – për ta bërë atë aspiratë të madhe kombëtare më të vërtetë për çdo brez .
Lidhja midis së vërtetës dhe aspiratës – midis asaj që ne besojmë, asaj për të cilën ne shpresojmë dhe asaj që ne jemi të gatshëm të punojmë për të arritur – kjo është zemra e Ëndrrës Amerikane. Është gjithashtu ajo që lidh Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërinë.
yuri kim
Sonte, ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara, shënojmë gjithashtu 30 vjet që kur populli i Shqipërisë refuzoi diktaturën komuniste në përkrahje të demokracisë. Në një nga veprimet tuaja të para si një popull i lirë, Shqipëria i shtriu dorën e miqësisë Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara e kapën me krenari dorën tuaj në vitin 1991 dhe ne kurrë nuk e kemi lëshuar.
Ndërsa vijmë bashkë këtë mbrëmje për të festuar demokracinë – qofshin 245 vjet apo 30 vjet – është e qartë në përvojat tona përkatëse se demokracia nuk është e lehtë. Ajo duhet të çmohet, të vlerësohet, të mbrohet, të përtërihet. Ne duhet të festojmë sukseset tona dhe t’i përdorim ato si frymëzim për suksese edhe më të mëdha. Duhet të përballemi me të metat tona në të njëjtën frymë – pa u turpëruar apo pa patur frikë, por me vendosmëri për të gjetur gjuhën e përbashkët, mënyra më të mira për të punuar me bashkëqytetarët tanë dhe për të hartuar një rrugë përpara, të kujdesshëm për mësimet e së kaluarës, por gjithmonë me sytë mbi të ardhmen.
Kështu që ndërsa festojmë ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara dhe 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, le të vendosim të çmojmë, të vlerësojmë, të mbrojmë dhe të përtërijmë demokracinë; për të kujtuar aspiratat e atyre që shpallën pavarësinë – qoftë në vitin 1776 në Filadelfia apo 1991 në Sheshin Skënderbej; dhe për të luajtur rolin tonë në bërjen e atyre aspiratave më të vërteta për brezin e ardhshëm.
Siç mund ta dinë disa nga ju, kremtimi ynë i Ditës së Pavarësisë zakonisht kërkon fjalim nga dikush që përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe nga dikush që përfaqëson Shqipërinë. Me sytë tanë të përqendruar fort në të ardhmen, a mund t’ju kërkoj të mirëprisni Dea Rrozhanin për të folur jo vetëm në emër të Shqipërisë, por në emër të së ardhmes. Dea erdhi për herë të parë në Këndin Amerikan në Tiranë kur ishte tetë vjeçe. Në vitin 2019, ekipi i Deas shkoi në Silicon Valley si përfaqësuesit shqiptarëa dhe fitoi sfidën globale të Technovation.
Këtë vjeshtë, Dea do t’i bashkohet studentëve të vitit të parë në Universitetin e Pensilvanisë. E ardhmja është me të vërtetë e ndritshme.
Ju lutem bashkohuni me mua për të ngritur një gotë në ditëlindjen e 245-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe për të ardhmen. Gëzuar!