Fermerët në krizë: S’po na shiten shegët, prodhimi është lartë por çmimi i ulët, nuk ka treg

Në vend sapo ka filluar sezoni i shegëve, por për fermerët e Gostimës, në bashkinë e Cërrikut, ku sezon ka nisur me humbje.

Fruti i shegës ka mbetur i pambledhur në pemë, dhe shkak për këtë janë bërë mungesa e fuqisë blerëse dhe çmimi i ulët.

Ata shprehen se vështirësitë me të cilat janë përballur janë të mëdha dhe disa prej tyre janë drejt falimentit. Aktualisht 3 kg shegë po tregtohet me 150 lekë të reja.

Një zonjë e cila kultivon shegë u shpreh: “Ka ngel gjithë prodhimi pa u shitur. Pse ndodh kjo? Pse ndodh nuk e di, shteti e ka punën. S’ka çmim, nuk vijnë t’i marrin. Nuk ja vlen për t’u shitur, se ato harxhimet që bën, nuk i nxjerr dot. Shumë e vështirë është, ja unë jam në pension, kam shumë sëmundje e nuk ja dal dot me 200 mijë lekë. Unë dua 200 mijë lekë ilaçe, nuk ja dal dot”

Fermerët thinë se e vetmja mënyrë që të mos shkojë dëm prodhimi është të shitet me humbje. “Këtu në zonën tonë prodhimi është i lartë, por çmimi është i ulët. Me sa po e tregtojmë shegën? Këtu, 3 kile 150 lekë, vetëm për të mos e hedhur në kanal. Të paktën të marrësh ndonjë lek. A është e vështirë të merresh me këtë punë? Po, shumë, por duhet, se s’kemi nga të shkojmë. Jemi pa punë, prandaj merremi me pemtore“, u shpreh një fermer.

Fermerët e Gostimës janë duke kërkuar ndërhyrje nga shteti për gjetjen e tregjeve të reja dhe stabilizimin e çmimeve.


Shtuar 27.10.2025 18:52

Tags: ,