“Investo tek femra jote! Buzë që të del shpirti vendit kur i provon!”
Ky ishte slogani i fundit i një ndër klinikave më të mëdha në Shqipëri e cila ofron kryesisht shërbime estetike, për gra dhe burra.
Kompania KEIT prej orëve të para të mëngjesit është vënë në shenjestër nga qytetarët pasi në rrjetet sociale u shpërnda me shpejtësi kjo reklamë e cila në pamje të parë, reklamon një shërbim të ri për buzët.
Por ndërkohë që qëllimi primar ishte pikërisht reklamimi i këtij shërbimi të ri në këtë klinikë estetike, forma dhe mesazhi me të cilin është zgjedhur të reklamohet është jo vetëm e gabuar por edhe e dënueshme me ligj.
Në ato pak fjalë të zgjedhura pa kujdes por ndoshta edhe me qëllim, kompania KEIT, jep një mesazh të shëmtuar duke e konsideruar vajzën e gruan, si një qenie të dobët, të manovrueshme, të drejtuar dhe kuruar sipas shijeve të burrave dhe në funksion të tyre.
Dhe jo vetëm që kjo reklamë është paragjykuese, ofenduese dhe me terma seksistë, por edhe në shkelje të plotë me ligjet e vëndit tonë pasi “me plot gojën” mund ta konsiderojmë si një reklamë denigruese.
Ligji nr. 10221 datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi” në nenin 8 referon:
“Reklamat diskriminueseNdalohet publikimi i reklamave dhe njoftimeve të ndryshme, nëse ato paraqesin, haptazi apo në mënyrë të nënkuptuar, qëllim për të diskriminuar, për shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji.
Neni 1
Objekti
Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzaninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër.
Sic edhe pritej, kjo reklamë shkaktoi zhurmë të madhe në rrjetet sociale, ku posteri u shpërnda me shpejtësi dhe reagimet ishin shumë të ashpra. Në ato pak orë, postimi i klinikës në fjalë mori mijëra komente negative, duke detyruar stafin ose edhe vetë pronarin, Skerdi Faria, të fshijë totalisht çdo gjurmë të saj.
Nuk është hera e parë dhe shpresojmë të jetë e fundit, që figura e vajzave dhe grave, përdoret në mënyrë denigruese për të reklamuar produkte dhe për të maksimizuar shitjet në bizneset shqiptare.
Një reagim i fortë i shoqërisë si në ditën e sotme, duke hequr një reklamë të tërë, tregon shenja shenja shumë pozitive për brezin e ri dhe mënyrën se si vlerësohet figura e grave dhe vajzave në Shqipëri. /albeu.com/