Fondi për të Drejtën Humanitare tha të enjten se procesi i trajtimit të krimeve të luftës nga sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk shënoi ndonjë përparim gjatë vitit 2022, përgjatë të cilit janë arrestuar 5 persona.
Në një raport të këtij institucioni që u publikua sot në Prishtinë thuhet se gjatë tërë vitit të kaluar janë ngritur gjithsej tri aktakuza për krime lufte.
“Nëpërmjet titullit “Gjykimet për krimet e luftës: pa përparim të dukshëm”, Fondi e përcjellë nje mesazh te publiku dhe institucionet për gjendjen aktuale të rasteve të krimeve të luftës. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore, qoftë vendore apo ndërkombëtare i kanë dënuar vetëm 72 persona për krime të luftës në Kosovë, në anën tjetër janë vrarë më shumë se dhjetë mijë viktima civile”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Drita Hajdari udhëheqëse e departamentit për krime lufte në Prokurorinë e Posaçme të Kosovës, tha se puna e këtij departamenti sfidohet vazhdimisht nga pamundësia e sigurimit të provave për shkak të mungesës së bashkëpunimit qoftë nga institucionet serbe apo edhe mekanizmat ndërkombëtarë që kanë trajtuar krimet e luftës në Kosovë.
“Në fund të vitit të kaluar unë me një ekip nga Prokuroria e Posaçme kam vizituar mekanizmin e Tribunalit të Hagës, jemi takuar me përfaqësuesit e tij dhe na është premtuar që sipas kërkesave tona ata do të përgjigjen dhe do të na dërgojnë provat që na nevojiten. Por, kjo rrugë është mjaft e gjatë dhe merr kohë, është një rrugë burokratike për sigurimin e këtyre provave, tha zonja Hajdari, ndërsa nënvizoi se “problem tjetër paraqet fakti se miliona të provave gjenden të bllokuara në databazën e UNMIK-ut. UNMIK-u akoma i ruan dhe i mban për vete ato prova, kemi bërë disa përpjekje për sigurimin e kësaj databaze tepër të rëndëishme për ne, por pa sukses”.
Me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në Kosovë lejohen edhe gjykimet në mungesë të atyre që kanë kryer krime lufte. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare deri në fund të vitit 2022 asnjë proces gjyqësor nuk ka filluar në mungesë të të akuzuarit.
Visar Morina, profesor i Fakultetit Juridik tha se gjykimi në mungesë duhet të shërbejë si përjashtim dhe jo si praktikë e rregullt.
“Kjo për faktin që vet kërkesat juridike të nenit 6, po ashtu ne i kemi të përmbledhura në Kushtetutë te neni 31, e bëjnë të pamundur realizimin e disa prej lirive dhe të drejtave bazike për sa i takon gjykimit të drejtë. Të gjitha këto në një mënyrë mbesin të pazbatuara në rast se nuk sigurohet prezenca e të akuzuarit në një proces gjyqësor”, tha ai.
Pauline Menthonexx Gacaferri, zëvendës shefe e ambasadës së Zvicrës në Kosovë, vuri theksin të rëndësia e bashkërendimit Kosovë – Serbi në trajtimin e krimeve të luftës.
“Vendosja e bashkërendimit dypalësh ndërmjet sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe atij në Serbi do të ishte thelbësore për të shënuar përparim të vërtetë. Shpresojmë që zhvillimet e fundit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian do të mund të krijojnë hapësirë për mundësi të reja”, tha ajo.
Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. 24 vjet pas veprimtarët humanitarë thonë se drejtësia për viktimat dhe familjarët e tyre, duket të jetë ende larg./rel/