Beteja e Kievit mund të ketë përfunduar, të paktën tani për tani, por beteja e Donbasit po bëhet gjithnjë e më intensive. Më 18 prill, qeveria e Ukrainës raportoi një valë sulmesh përgjatë një shtrirjeje 400 km të vijës së frontit, kryesisht në rajonin e Donbasit, që ka qenë nën kontrollin e separatistëve të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.
Vladimir Putin dëshiron të marrë në kontroll pjesën tjetër të Donbasit , së bashku me pjesë të tjera të Ukrainës jugore dhe lindore. Kjo mund të mos tingëllojë aq e rëndësishme sa rrethimi i Kievit, por pasojat e një fitoreje ruse do të ishin pothuajse po aq të këqija.
Putin ka shumë pak për të treguar për luftën e tij deri më tani, e cila ka treguar sukses kryesisht në vrasjen e civilëve, përçarjen e forcave të tij dhe shkatërrimin e pjesës më të madhe të Ukrainës lindore, raporton abcnews.al.
Humbja e një numri të pallogaritshëm ushtarësh rusë (më shumë se 20,000, sipas ukrainasve), tetë gjeneralë dhe fundosja e anijes ruse në Detin e Zi, Moskva, ka qenë poshtëruese. Diktatori rus mund të pretendojë shfajësimin, ndërsa Ukraina do të mbetet e përçarë dhe e dëshpëruar. Rusia më pas mund të zgjedhë të “ngrijë” konfliktin, duke e lënë Ukrainën e shkatërruar dhe gati jofunksionale.
Sido që të jetë, Putin do ta kishte penguar Ukrainën që të bëhej pjesë e Perëndimit, diçka të cilës ai frikësohet më së shumti. Do të tregoheshim të nxituar nëse do të supozonim se forcat ruse do të jenë po aq të paafta në lindje sa ishin në veri, rreth kryeqytetit.
Si fillim, ata tani po sulmojnë nga territori i tyre, jo nga pozicionet e përkohshme në Bjellorusi që kishin zënë nën pretekstin e kryerjes së “ushtrimeve”. Linjat e furnizimit të tyre janë përgjysmuar. Dhe ata do të kërkojnë të luftojnë në një terren relativisht të hapur ku, ndryshe nga pyjet përreth Kievit, do të jetë më e lehtë për pushtuesit të sulmojnë dhe më e vështirë për mbrojtësit t’u zënë pritë.
Ukraina ka nevojë për më shumë ndihmë. Përgjigja perëndimore e deritanishme, veçanërisht ajo e Amerikës, ka qenë e jashtëzakonshme. Dërgimi i vazhdueshëm i armëve, veçanërisht raketave antitank dhe kundërajrore, ka ndryshuar rrjedhën e luftës në Kiev.
Por për të zmbapsur forcat ruse do të duhen armë më të rënda si tanke, aeroplanë, artileri dhe municione. Kjo nuk është e thjeshtë. Forcat ukrainase përdorin kryesisht armë të epokës sovjetike. Në afat të shkurtër, ata kanë nevojë për më shumë: mjete të tilla si avionët luftarakë MiG dhe tanket T-72, si dhe raketat S-300 dhe Gvozdika.
Vendet e NATO-s që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, si Republika Çeke, Polonia dhe Sllovakia, kanë rezerva të shumta dhe i kanë dhënë Ukrainës një pjesë të tyre. Ata duhet të dorëzojnë më shumë. Por së shpejti furnizimet do të mbarojnë, kështu që Perëndimi duhet të fillojë të furnizojë Ukrainën me armët më moderne që përdorën nga shumica e vendeve të NATO-s dhe të trajnojë ushtarët ukrainas për t’i përdorur ato, raporton abcnews.al.
Këtë javë Amerika, Britania dhe Kanadaja thanë se do t’i siguronin Ukrainës artileri të rëndë – një hap në drejtimin e duhur. Lajmi i mirë është se linjat e furnizimit të NATO-s në Ukrainë, kryesisht nga Polonia, kanë rezultuar efektive në mbrojtjen e vendit.
Deri më tani, Rusia nuk ka gjetur një mënyrë efektive për t’i ndaluar ato. Nëse Perëndimi vazhdon të furnizojë me armë Ukrainën dhe lufta vazhdon, ekonomia e Rusisë, vetëm sa ajo e Spanjës edhe para fillimit të luftës dhe vendosjes së sanksioneve ekonomike, nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë furnizimin me armë në të njëjtën shkallë që mund ta bëjë NATO.
Nëse Putini do të mposhtet dhe Ukraina do të mund të ndërtojë të ardhmen e saj, nuk janë vetëm ushtarët ukrainas në Donbas, të cilët aktualisht po goditen nga avionët, raketat dhe artileria ruse, ata që do të duhet të tregohen të duruar.
NATO gjithashtu duhet të qëndrojë me këmbë në tokë dhe i duruar./abcnews.al