Favorizoi Gjon Radovanin për të përfituar tendera, zbardhet akuza e SPAK ndaj Plarent Ndrecës, çfarë thuhet në e-mailet mes tyre

Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili është marrë i pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë, kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.

Sipas SPAK, Ndreca dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues, lidhur kontratë me me bashkimin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk, ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore.

Radovani sikurse rezulton në dosjen e SPAK, rezulton të jetë mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka shkëmbyer dhe mesazhe.

E duket se për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me titullarin e institucionit, kompania e tij ka fituar dhe tendera pranë ministrisë së Brendshme.

Nga hetimet rezulton se mes Radovanit, i cili ka qenë konsulent në Ministrinë e Brendshme për këtë tender dhe të pandehurit Plarent Ndreca, janë shkëmbyer emaile që përmbajnë të dhëna lidhur me ambientet e komisariateve Vlorë, Pogradec dhe Mirditë, të cilët do të rikonstruktoheshin.

Sipas SPAK, të dhënat i janë përcjellë paraprakisht shtetasit Gjon Radovani, i cili është ortak i APE shpk që u shpall fitues si bashkim operatorësh me Derbi-E shpk, në procedurën e prokurimit.

Në dosje thuhet se mes Ndrecës dhe Radovanit, por edhe zyrtarëve të tjerë të ministrisë janë zhvilluar takime dhe kanë diskutuar lidhur me gjendjen e objekteve policore.

“Nga ky komunikim provohet se i pandehuri Plarent Ndreca ka patur dijeni paraprakisht lidhur me angazhimin dhe pjesëmarrjen e shtetasit Gjon Radovanit në hartimin e projekteve tip për objekte të policisë së shtetit për të cilat do të zhvillohej më pas dhe procedura e prokurimit”, thekson SPAK.

Për të pandehurin Plarent Ndreca, me detyrë në atë kohë Sekretar i Përgjithshëm dhe Titullari i Autoritetit Kontraktor në procedurën e prokurimit, objekt hetimi evidentohet qartësisht sjellja e tij e kundërligjshme, duke dokumentuar një sërë shkelje ligjore gjatë fazave të ndryshme të procedurës së prokurimin publik objekt hetimi.

SPAK thekson se ai në bashkëpunim me punonjësit e tjerë, si specialistët e prokurimeve, anëtarët e KVO, anëtar KSHA, drejtoreshën e kabinetit të Ministrit dhe drejtoreshën e Shërbimeve Mbështetëse në Ministri, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte BOE Derbi-E dhe APE shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.

Pavarësisht se ish-zv.ministri Gjon Radovani, rezulton se ka fituar tendera nga institucioni që drejtonte një prej miqve të tij, as ai dhe as Sandër Lleshaj nuk janë vënë nën akuzë nga SPAK./BW


Shtuar 25.12.2024 14:20