Fatura e arbitrazhit qëndron “e ngrirë”, Shqipëria ende 180 milionë euro detyrime të pashlyera

Shteti shqiptar vijon të shlyejë vetëm kostot administrative dhe ligjore për çështjet e hapura nga kompanitë në gjykatat ndërkombëtare, pa ulur faturën e detyrimeve të arbitrazhit.

Deri në shtator 2025, Ministria e Financave llogarit një detyrim prej 180 milionë euro të lidhur me arbitrazhet ndërkombëtare. Krahasuar me faturën e Arbitrazhit të publikuar deri në shtator 2024 rezulton se ka një ulje prej rreth 0.3%, ose rreth 650 mijë euro, që përfaqësojnë kosto administrative dhe ligjore.

Në projektbuxhetin e vitit 2026, jepen të detajuara vendimet për dëmshpërblim të gjykatës së Arbitrazhit, detyrimin faktik dhe kontingjent, dhe kostot e përfaqësimit ligjor të shtetit në Arbitrazh.

Sipas tabelës zyrtare, nga kjo shumë, 70.2 milionë euro zënë detyrimet e mbetura nga vendimet e formës së prerë që ende nuk janë paguar. Detyrimet kontigjente që rrjedhin nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare, por të cilën nuk është marrë një vendim i formës së prerë, pra, nuk kanë përfunduar procedurat ligjore janë në shumën 110.1 mln euro.

Rreth 60% të faturës totale të pashlyer të Arbitrazhit vijon të jetë për çështjen “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, të sipërmarrësit italian Françesko Beketi. Detyrimi me vlerë 108 mln euro për vendimin e “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, është më i larti ndër 5 çështjet e humbura në Arbitrazh nga shteti shqiptar. Kostoja ligjore për përfaqësimin e shtetit në këtë proces është vlerësuar rreth 2 mln euro.

Çështja e kompanisë greke “Copri Actors” lidhur me ndërtimin e autostradës Tiranë–Elbasan ka një detyrim të mbetur prej 41.1 milionë euro, përfshirë kostot e përfaqësimit ligjor.

Krahasuar me një vit më parë, është shlyer rreth 1.3 milionë euro, që përfaqësojnë pagesa të pjesshme të detyrimeve të vendimit, raporton Monitor.al.

Çështja e tretë me vlerë të lartë faturë shlyerje vijon të mbetet ajo me kompaninë “Construzioni Dondi”. Vlera e mbetur e detyrimit është 13.2 milionë euro, me shlyerje prej rreth 209 mijë euro gjatë vitit. Kostot administrative dhe ligjore të përfaqësimit për këtë çështje arrijnë në 28,500 euro, që përfaqësojnë rreth 10% të shumës fillestare, pjesa tjetër tashmë është shlyer. Padia është depozituar në 2018 nga kompania italiane.

Ndër vite kostot administrative të përfaqësimit dhe ligjore të shtetit shqiptar për këtë çështje arritën në 189 mijë euro.

Një faturë prej 12 milionë euro, shteti shqiptar duhet të paguajë për çështjen e humbur me kompaninë “GBC Oil LTD”. Krahasuar me vitin e kaluar, është shlyer rreth 386 mijë euro nga detyrimi fillestar. Gjithashtu, kostot ligjore për këtë proces janë rritur me 366 mijë euro, duke reflektuar shpenzimet shtesë të mbrojtjes ligjore.

Në relacionin shpjegues të projektbuxhetit, Ministria e Financave pohon se vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, të cilat lidhen me zgjidhjen e konflikteve në mosmarrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe në ngarkim të shtetit shqiptar, kanë efekte të ndjeshme financiare dhe përbëjnë një risk të konsiderueshëm për buxhetin e shtetit.

Në pjesën më të madhe të rasteve, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre vendimeve janë përballuar nga buxhetet e vetë institucioneve publike (kryesisht ministritë e linjës), të cilat kanë qenë palë të paditura në proceset përkatëse gjyqësore.

Ndërkohë, në rastet kur palë e paditur është “Shteti Shqiptar” ose “Qeveria Shqiptare”, likuidimi i detyrimeve kryhet përmes buxhetit të Ministrisë së Financave ose Fondit të Rezervës së Buxhetit të Shtetit, nëse lind nevoja për mbulimin e tyre.


Shtuar 7.11.2025 18:46