Fatos Tushe nuk dorëzohet as nga burgu, çon Ramën në Gjykatën Kushtetuese

Ish-kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe nuk është aspak i kënaqur me vendimin për shkarkimin e tij nga detyra.

Sot mësohet se ai ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave që e largoi nga detyra.

Ky ankimim pritet të diskutohet me 21 dhjetor ku trupa gjykuese pritet të marrë në shqyrtim padinë e ish-kryebashkiakut socialist i cili  kërkon rikthimin në detyrë edhe pse prej muajsh ai ndodhet në qelitë e paraburgimit i akuzuar për korrupsion.

Më 6 Korrik Fatos Tushe ra në prangat e SPAK për shpërdorim të detyrës me akuzën e abuzimit me fondet publike për një tender që kap vlerën e 24 milionë lekeve.

Prokuroria e Posaçme, SPAK urdhëroi gjithashtu arrestimin e 4 vartësve të Tushës dhe dy biznesmenëve, ndërkohë që katër zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lushnjes u lanë në masën e “arrestit në shtëpi” nga gjykata.

SPAK i nisi hetimet një vit më parë, nisur nga një referim i Policisë Gjyqësore për veprat penale të “korrupsionit pasiv”, “shkeljes së barazisë në tendera”, “shpërdëorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Ishte kryeministri Edi Rama që firmosi për 24 orë nga arrestimi shkarkimin e Tushës duke e dënuar për veprat që akuzohet dhe duke e bërë shembull mes socialistëve. /albeu.com/


Shtuar 27.11.2021 15:08