Avokatët mbrojtës të Sali Berishës nuk u paraqitën këtë të hënë në sekretarinë e Gjykatës Anti Korrupsion për të marrë dy vendime gjyqësore për ish-kryeministrin.
Kështu, Gjykata ka vendosur t’i dërgojë këto dy vendime përmes postës, në përpjekjen e saj të fundit, duke qenë se dosja ka ngecur në sekretarinë e gjykatës së shkallës së parë.
Nëse as në këtë rast s’ka reagim nga ana e Berishës dhe avokatëve, GJKKO do ta konsiderojë si një refuzim, raporton gazetarja Anila Hoxha, dhe brenda pesë ditëve do të bëjë referimin e dosjes nga sekretaria në në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.
Ish-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.
Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”. Por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.